Partia Demokratike e Kosovës ka pezulluar kandidaturën e Vlora Çitakut për postin e nënkryetares së Kuvendit, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese për procesin e konstituimit të legjislativit.
Në një shkresë zyrtare drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, të firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, partia argumenton se vendimi është marrë për shkak të, sipas saj, shkeljeve të vazhdueshme të detyrimeve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
PDK thotë se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar vlerësimin e situatës së krijuar dhe, deri në marrjen e një vendimi, nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e procesit të konstituimit.
Në shkresë theksohet se pezullimi i kandidaturës së Çitakut nuk do të thotë se PDK heq dorë nga posti i nënkryetarit të Kuvendit.
“Tërheqja e kandidaturës së tanishme nuk nënkupton se Partia Demokratike e Kosovës heq dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon, dhe as se refuzon të propozojë kandidatin e saj për këtë pozitë”, thuhet në dokument.

Lajmi kryesor:
Kuvendi i Kosovës konstituohet pa nënkryetarin e PDK! Partia e Hamzës bojkoton seancën: Kushtetuta nuk është pazar politik








