PARIS - Marine Le Pen, lidere e partisë së djathtë ekstreme, Fronti Kombëtar i Francës, nuk ka më imunitet si depute e Parlamentit Evropian dhe tani mund të ballafaqohet me një proces penal për racizëm.
 
Mbrëmë, Parlamenti Evropian në Strasburg votoi për tërheqjen e imunitetit të lideres Le Pen, me kërkesë të një gjykate në Lion të Francës.
 
Le Pen u akuzua nga një shoqatë anti-racizmi në vitin 2011 pasi ajo i kishte përshkruar faljet e myslimanëve në rrugë si akt politik nga fondamentalistët dhe i kishte krahasuar ata me pushtimin e Francës nga Gjermania Naziste.
 
Por si deputete e Parlamentit Evropian, Marine le Pen, nuk ishte proceduar në kohë për shkak të imunitetit që gëzonte.
 
Marine le Pen, e cila është e bija e themeluesit të Frontit Kombëtar mbështet daljen e Francës nga Bashkimi Evropian, eurozona dhe bllokimin e çdo lloj forme të emigracionit në vend.
 
Ajo u rendit në Francë si politikanja e tretë më e popullarizuar në një sondazh të kryer në muajin maj nga faqja e inernetiti “L’Internaute”.
 
Nëse shpallet fajtore për nxitje të urrejtjes racore, ajo do të përballet me një dënim maksimal prej një vit burg dhe me një gjobë prej 45 mijë eurosh.

Redaksia Online
(l.ç./mag/shqiptarja.com)