Parlamenti Evropian ka vlerësuar refuzimin që Shqipëria i bëri armëve kimike të Sirisë, me gjithë këmbënguljen amerikane, duke e cilësuar shenjë e pjekurisë politike. Eurodeputetët, u shprehen përgjithësisht në mbështetje të Këshillit të Evropës për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Komiteti i Jashtëm në PE diskutoi draftrezolutën për Shqipërinë, përpiluar nga raportuesi i ri kroat, Nikola Vuljaniç, ku u vërejtën sukseset e Shqipërisë dhe problemet.

“Për mua ka dy qëllime, së pari për të ndihmuar vendin, duke mbështetur raport-progresin e Komisionit e duke ofruar arsye shtesë ndaj Këshillit për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat. Arsyeja tjetër është stabiliteti rajonal e forcimi i pozicionit e politikës së Unionit që thotë se arritjet duhen respektuar e shpërblyer në rrugën e integrimit. E nuk ka dyshime për arritjet, pjekuria politike u dëshmua me refuzimin e shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Me gjithë insistimin e SHBA, qeveria shqipëtare dëgjoi popullin”, tha Nikola Vuljaniç në PE. Ndërsa Jelko Kacin raportues për Serbinë tha se ajo çfarë mungonte prej disa vitesh ishte një raportues proaktiv mbi Shqipërinë.

“Megjithëse erdhi shumë vonë, në fund të fundit u shënua një kontribut i madh për të mobilizuar e për të vërtetuar përpjekjet e Shqipërisë”, tha ai. Ndërsa Këshillit i sugjerohet të shmangë “vonesa të panevojshme” për statusin në Dhjetor, kërkohet dialog politik reforma të qëndrueshme për të siguruar pavarësinë e institucioneve, gjyqësorit, administratës e medias, krahas luftës kundër korrupsionit, krimit e trafiqeve. “I bëjmë thirrje Këshillit të njohë progresin e vendit dhe t’i japë statusin kandidat pa vonesë të panevojshme.

Por duhet kuptuar gjithashtu me këtë raport se progresi i arritur kërkon më tepër konsolidim e zbatim dhe për reformat e mbetura duhet përshpejtuar miratimi”, tha Eduard Kukan, kreu delegacionit për Ballkanin. Ndërkohë që Marije Cornelissen, eurodeputete hollandeze e të gjelbërve ka vlerësuar kalimin paqësor të pushtetit si dhe vijimin e reformave. “Ajo që është më e rëndësishmja për këtë komitet, këtu kemi eurodeputetë gjermanë e hollandezë, është të dërgojmë mesazhe të qarta ndaj qeverive tona, se ne kemi mbërritur në pikën që mbështesim statusin kandidat dhe se Shqipëria e meriton këtë, shqipëtarët e kanë fituar këtë.

Nëse bëjmë hap mbrapa, e kemi parë të ndodhë me serbët, ne do humbisnim besimin e i dimë pasojat që do kishim atje. Duhet të jemi shumë të bindës ndaj qeverive të vendeve tona”, ka këmbëngulur Knut Fleckenstein, eurodeputet gjerman. Pavarësisht insistimit të raportuesit, rezoluta për Shqipërinë pritet të votohet nga Komiteti më 5 Dhjetor, për t’u miratuar në seancë plenare 10 ditë para dhënies së vendimit nga Këshilli i BE.


Shkrimi u publikua sot(27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)