Pelegrinët mbushin
që në mbrëmje Sheshin

TIRANE- Sheshi pranë Altarit ku do të qëndrojë Papa Françesku është mbushur me pelegrinë qysh dje në mesnatë. Ndërkohë dhe pranë kordonit të vendosur në bulevard, kanë qëndruar në pritje njerëz të grupuar në pritje të ardhjes së Papës. Në krah të altarit gjatë natës kanë qëndruar murgeshat, ndërsa në stolat e akademisë së arteve dhe te shkallët e “Kolonave” kanë qëndruar të ulur një mjaft njerëz. Pelegrinëve u shtoheshin dhe qytetarë që kanë shëtitur në Bulevardin e rindërtuar, duke shuar dhe kuriozitetin e organizimit të ri. Vetë organizatorët kishin vendosur që të vinin në punë ekranet e vendosura përgjatë bulevardit. Qoftë duke transmetuar ndeshje futbolli, po dhe momente të ceremonive të Papa Françeskut.

Të krishterë e myslimanë nxitonin t’i bashkoheshin sa më shpejt pelegrinazhit të njerëzve që kishin vetëm një drejtim. Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Tirana është vënë në optikën e televizioneve në të gjithë botën. Në bulevard e ke të pamundur të mos ndeshesh me gazetarë të ardhur nga Italia, Franca, Gjermania të cilët e kanë nisur vëzhgimin e imët në kryeqytet dy ditë përpara se Papa Françesku të mbërrijë në Tiranë. Bulevardi ka fituar një qetësi të cilën nuk e gëzon në ditët e zakonshme. Veç makinave të televizioneve, ndihmës së shpejtë dhe ruajtjes së sigurisë nuk sheh asnjë tjetër. Kryeqytetasit i janë bindur pa rezistencë, kërkesës së policisë për ta boshatisur bulevardin në këtë vizitë historike. Sheshi është gati.

Një korridor i gjatë që nis nga kryqëzimi i parë i unazës me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është krijuar për të lejuar kalimin e makinës speciale të Papës. Nga aty Ati i Shenjtë, do të përshëndesë njerëz të ardhur nga e gjithë bota, në vendin që sot di të jetë krenar me tolerancën fetare në të cilën bashkëjeton. Dy anët e bulevardit janë të rrethuara me kangjella rreth 1 metër të larta, në të cilat do rreshtohen të gjithë për të shkrepur një foto, ndoshta edhe për të marrë një shtrëngim dore me Atin e Shenjtë. Blicet e aparateve shkrepen pa fund në gjatësinë e bulevardit deri në kupolën e krijuar për meshën e veçantë që Papa Françesku do të mbajë në krah të sheshit “Nënë Tereza”. Një karrige e lartë, e gdhendur bukur e denjë për një personalitet si Ati i Shenjtë është vendosur në lartësi të skenës së montuar.

Poshtë janë të renditura në vij të drejtë milimetrike, karriget në të cilat do të jenë të ulur fëmijë me probleme shëndetësore të ardhur jo vetëm nga Shqipëria por edhe Kosova e Maqedonia. Ati i Shenjtë do të bëj veç lutjeve të tjera edhe bekimin për jetën dhe shëndetin e secilit prej tyre. Askujt në të gjithë gjatësinë e bulevardit nuk i intereson përkatësia fetare. Të gjithë e kanë shndërruar pritjen e Papa Françeskut në një festë të madhe. 

Shëndetësia , Numra telefoni për ngjarjet e dyshimta e ndihmën mjekësore
 
Veç masave për ndihmën shëndetësore, organizatorët e mbarëvajtjes së vizitës së Papës kanë vendosur dhe numra telefoni emergjence për çdo njeri që do të kërkojë ndihmë sot. Numrin 129 do të shërbejë për të gjitha rastet kur do të konstatohet diçka të dyshimtë.  Ndërsa Telefononi për ndihmë mjekësore në numrin 127 dhe 042222235. Ekip shëndetësor i specializuar, 12 ambulanca si dhe çadra me njësi të lëvizshme do të ofrohen për të gjithë të pranishmit që do të jenë sot pjesë e Meshës së Atit të Shenjtë, Papa Francesku, në orën 11:00, në sheshin “Nënë Tereza”.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ka inspektuar nga afër çadrat ku do të ofrohet shërbim shëndetësor. Sipas tij, janë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e vizitës së Papa Françeskut. Ministri Beqaj, theksoi se puna për përcaktimin e masave kanë filluar që para 2 muajsh, dhe janë kryer në bashkëpunim me Papatin. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 


 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen