Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka ftuar të gjithë drejtuesit vendor që të aplikojnë në 17 projektet që qeveria do të financojë për të parandaluar përmbytjet në zona të ndryshme të vendit.
 
Sipas Peleshit, 17 projekte të tilla, pjesë e programit të posaçëm të financuar nga BE dhe qeveria shqiptare parashikojnë parandalimin e përmbytjeve, përmes ndërhyrjeve në infrastrukturën e lumenjve.
 
Teksa ka qenë i pranishëm në Novoselë, ai ka parë nga afër ecurinë e punimeve në dy prej projekteve, për këtë zonë, të cilat janë drejt përfundimit dhe që janë ngritja e argjinaturës se lumit Vjose ne zonën e Bishanit dhe përforcimi i kanaleve, si dhe riparimi i dëmtimeve ne argjinaturën e Selevecit (7km). Nga realizimi i tyre do të shpëtohen prej përmbytjeve rreth 5 hektarë tokë dhe do të përfitojnë direkt 12.00 banorë të Novoselës, ndërsa prej 17 projekteve në të gjithë vendin do të jenë përfitues 160 mijë banorë.
 
Ne jemi në fillimin e ndryshimit të qasjes tonë, në raport me natyrën. Në gjithë këto vite, kemi kaluar vijën e kuqe, i kemi prishur natyrës ekuilibrat e veta. Në këtë zonë pranë Novoselës,  po bëhet një punë e madhe, si pjesë e projektit prej 17 veprash, në të gjithë vendin të mundësuar nga financimet e BE dhe qeverisë shqiptare për të rehabilituar dhe për të parandaluar - me disa ndërhyrje në argjinatura kryesisht, - përmbytjet potenciale. Ne mbrojmë 5 mijë hektarë tokë dhe rreth 12 mije familje. Një investim prej 1 apo 2 milion dollarësh mbron një përmbytje potenciale në këtë tokë, mijëra hektarë tokë e mijëra familje. Në 17 veprat që po punohet me intensitet arrijmë te mbrojmë 160 mije familje. Do ta përmbyllim me shumë sukses ndërhyrjen në këto 17 lote. Nesër miratohet me shumë gjasa në parlament moratoriumi i pyjeve. Për një periudhë 10 vjeçare nuk do të shfrytëzohen më pyjet siç janë shfrytëzuar deri tani. Sanksionet do të jenë shumë të ashpra. Inkurajoj pushtetin vendor, të gjitha institucionet që të përgatitin në kohë projekte të sakta teknike dhe ti aplikojnë në fondet tona, siç  është fondi prej 25 milion dollar i përmbytjes dhe kullimit. Do të furnizojmë ekskavatorë të rinj por edhe fonde të nevojshme për të mundësuar realizmin e veprave të pastrimit e rehabilitimit të kanaleve ujitëse dhe kulluese” ka thënë Peleshi.

Zëvendëskryeministri Peleshi u shpreh se qeveria po punon me një qasje të re për të parandaluar pasojat e përmbytjeve. 


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)