Integrimi europian i Shqipërisë dhe forcimi i bashkëpunimit me Greqinë kanë qenë në qendër të takimit që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi në Athinë me Kryetarin e Komisionit për Çështjet Europiane dhe Nënkryetarin e Parë të Parlamentit grek, Ioannis Plakiotakis, si dhe me anëtarë të komisionit.
Gjatë bisedimeve, palët diskutuan mbi ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe rolin që mund të luajnë parlamentet e dy vendeve në thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
Peleshi vlerësoi mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë si një kontribut me rëndësi jo vetëm për vendin tonë, por edhe për të ardhmen e gjithë rajonit.
Sipas tij, avancimi i procesit të integrimit europian të Shqipërisë mbetet një prioritet strategjik, ndërsa mbështetja e vendeve anëtare të BE-së ka një rol të rëndësishëm në këtë rrugëtim.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e forcimit të marrëdhënieve parlamentare mes Tiranës dhe Athinës, si një instrument për të afruar më tej bashkëpunimin politik dhe institucional mes dy vendeve.
Palët ndanë të njëjtin qëndrim se integrimi i Shqipërisë dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian mbetet një faktor kyç për zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe garantimin e stabilitetit në rajon.
Komente








