Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, mori pjesë në Forumin e Sigurisë “Partneriteti SHBA-Europë dhe Roli i Padiskutueshëm i NATO-s”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me pjesëmarrjen e parlamentarëve, ish-parlamentarëve dhe personaliteteve nga Kongresi Amerikan, Parlamenti Europian, parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s, Dhoma e Komunëve e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe vendet e Rajonit.

Në fjalën e tij, Peleshi theksoi se politika e jashtme dhe e sigurisë së Shqipërisë mbështetet mbi disa shtylla kryesore, ndër të cilat: ‘anëtarësimin në Bashkimin Europian, partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kontributin aktiv në NATO dhe angazhimin për paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.’

Peleshi vuri në dukje progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke nënvizuar se vendi ynë po ecën me ritme të shpejta drejt anëtarësimit në BE dhe se Kuvendi ka intensifikuar punën për përafrimin e legjislacionit me standardet europiane.

Duke folur për marrëdhëniet me SHBA-në dhe rolin e NATO-s, Kryetari i Kuvendit nënvizoi angazhimin e Shqipërisë si aleate e besueshme në Aleancë, rritjen e investimeve në mbrojtje, modernizimin e kapaciteteve ushtarake dhe forcimin e sigurisë kibernetike.

Në këtë kuadër, ai theksoi se Shqipëria po përgatitet të mikpresë Samitin e NATO-s në vitin 2027 në Tiranë, samiti i parë i Aleancës në Ballkanin Perëndimor, një moment historik për Shqipërinë dhe Rajonin.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi gjithashtu rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë me partnerët euro-atlantikë për përballimin e sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe ruajtjen e paqes e stabilitetit në Rajon.