Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, ka zhvilluar një vizitë një ditore në Ohër, ku është takuar me Ministrin maqedonas të Bujqësisë, Pyjeve dhe Ekonomisë Ujore, Ljupco Nikolovski.
Në qendër të këtij takimi ka qenë pikërisht nxitja dhe lehtësimi i marrëdhënies tregtare mes dy vendeve, në fushën e bujqësise, kjo edhe në kuadër të zbatimit të tregtisë së lirë si dy vende të CEFTA-s. Dy vendet tona kanë një fluks të lartë tregtar në importin dhe eksportin e prodhimit bujqësor edhe për shkak të afërsisë gjeografike.
Gjatë këtij takim, Ministri Peleshi u ndal më konkretisht tek lehtësimi i procedurave doganore në eksportin e prodhimit të hershëm bujqësor, problem i ngitur më herët edhe nga tregtarët shqiptarë, si dhe në zgjerimin e listës së eksportit për nënproduktet e qumështit. Problematika, për të cilat u ra dakord, që të diskutohen në nivel teknik, për të arritur në një zgjidhje të shpejtë.
“Ka qënë një takim jo vetëm formal dhe thjesht kortezie, por mbi të gjitha ka qenë një takim shumë praktik. Dua ta falenderoj ministrin për mendjen e hapur në drejtimin e ministrisë së bujqësisë dhe shpresoj, që me këtë vullnet politik i kemi të gjitha mundësitë të rritim volumet tona tregtare, së pari, kjo ka qënë një nga pikat, të cilat elaboruam më tepër, pra si ta bëjmë CEFTA-n dhe tregtinë e lirë, shkëmbimet tona tregtare sa më funksionale, si të rritim volumin tonë tregtar.
Sot që flasim, ne kemi një volum tregtar prej rreth 25 milionë euro. Në fakt, Shqipëria importon më shumë sesa eksporton drejt Maqedonisë, por rritja e volumit tregtar, rritja e eksporteve dhe rritja e importeve nga të dy vendet, në fakt është edhe treguesi i punës së ministrive tona respektive. Ne jemi konkurrentë, por jemi edhe komplementarë, pra kemi mundësinë dhe potencialin e madh që të shfrytëzojmë këtë komplementaritet, pra të rrisim shkëmbimet tregtare përmes marrëveshjeve, ku të dy palët fitojnë. I besojmë tregtisë së lirë, ndaj dhe ky takim ka patur një vullnet të dyanshëm” është shprehur Ministri Peleshi.
Volumi tregtar në sektorin e bujqësisë për vitin 2017, ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë ishte rreth 3.3 miliardë lekë. Raporti eksport/import është përmirësuar nga 1:3.3 në 2016, në nivelin 1:2.3 në vitin 2017. Produktet më të eksportuara vazhdojnë të mbeten produktet e freskëta: domate, tranguj, peshk i freskët, agrumet e freskëta,prodhime brumi etj.
Shqipëria dhe Maqedonia bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes CEFTA 2006 dhe që nga viti 2011, tregtia mes dy vendeve është liberalizuar dhe operohet pa tarifa doganore.
Në kuadër të vendeve CEFTA, Maqedonia është një ndër tre partnerët tregtarë kryesorë, nga ku origjinojnë 30.1% të importeve të produkteve bujqësore dhe shkojnë 12.7% të eksporteve tona.