Peleshi për Report TV: Kontroll të
gjitha pikave të tregtimit të mishit

Peleshi për Report TV: Kontroll të<br />gjitha pikave të tregtimit të mishit
Ministria e Bujqësisë do të skanojë të gjitha pikat e therjes dhe tregtimit të mishit dhe do të mbyllë të gjitha ato jashtë kritereve.
 
Ministri Niko Peleshi sqaron në një intervistë për Report TV se nuk do të falen të gjithë ata punonjës të AKU-së që kanë dhënë licenca në kundërshtim me ligjin.
 
Peleshi thotë se as në ministrinë e tij dhe as në dikasteret e tjera, reforma e qeverisë së re nuk ka pasur në fokus largimin nga puna të njerëzve të LSI-së. 

Intervista e plotë:
Z.ministër keni njoftuar në daljen e parë publike si ministër i Bujqësisë një aksion që ka të bëjë me sigurinë ushqimore, përqendruar te tregtimi i mishit. Kur fillon aksioni dhe çfarë po bëhet konkretisht në terren nga agjencitë tuaja ligjzbatuese?

Së pari, unë jam kundër aksioneve të veçuara, të cilat pasi përfundojnë mund të kenë një sukses të momentit, por më pas gjërat shkojnë në vendin e mëparshëm, nëse nuk është ngritur një sistem. Kur them këtë, nuk e kam fjalën që do t’i japim vetes kohë pafund për të filluar aksionin, aksioni do të fillojë shumë shpejt, brenda 10 ditësh. Për momentin të gjithë standardet ligjore po i përkthejmë në një check listë, pra në një listë kontrolli për të gjithë inspektorët e AKU, të cilët do jenë të detyruar, në bazë të këtij aksioni, të plotësojnë me dorën e tyre në çdo thertore apo pikë therjeje, janë rreth 200 një numër tepër i madh krahasuar me vendet e tjera, nëse standardet plotësohen apo për të gjitha këto thertore në vend.

Dua ta them që nuk e kam gjetur termin pikë therja në ligj, nuk ekziston. Ndërkohë ka shumë të tilla të autorizuara, të cilat në qoftë se janë konform standardeve ligjore të momentit mund të vazhdojnë lirisht të bëjnë aktivitetin e tyre, por kam frikë se një pjesë e konsiderueshme ato standarde nuk i plotëson.  

Nga ana tjetër, nuk do mjaftohemi vetëm me përmbylljen e një aksioni me sa më shumë forcë në zbatim të ligjit, por standardet tona duhet të përafrohen me ato të BE. Hapja e negociatave do të thotë në terma praktikë tre kapituj, 11, 12, 13, që lidhen me bujqësinë dhe zhvillimin rural, duhet të fillojnë të negociohen, ç’ka do të thotë se duhet t’i përkthejmë standardet tona në standardet e BE nëse duam të kemi progres

Kështu që do të rishikojmë standardet e therjes së mishit, ashtu si dhe të gjithë zinxhirit të sigurisë ushqimore, do t’i përafrohemi standardit të BE.

Do t’i japim kohë të nevojshme, të domosdoshme, të gjithë operatorëve në këtë fushë të kënaqin këto standarde, nuk do t’i lëmë të vetëm, por do t’iu drejtojmë dhe programet tona të mbështetjes, kam parasysh skemat kombëtare të AZHBR, apo IPARD që shpresojë të fillojë nga pranvera e vitit që vjen, që është një program prej 93 milionë lekë. Do t’i drejtojmë një pjesë të këtyre skemave në mbështetje të të gjithë zinxhirit të vlerës të produkteve ushqimore. 

Ato shtazoret janë më të rëndësishmet, në kuptimin jo vetëm të jetës së konsumatorëve, që është e para, por për të çliruar më në fund Shqipërinë nga një pengesë që BE i ka vendosur për eksportin e produkteve shtazore drejt Bashkimit Evropian. 

Jemi i vetmi vend në Evropë, do ta them me turp duke u skuqur, që nuk na lejohet të eksportojmë, ndërkohë Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Bosnja, të gjitha vendet e rajonit e kanë këtë të drejtë. Në qoftë se ne arrijmë të ndërtojmë një sistem, duke mbyllur të gjitha pikat e therjes të paautorizuara po e po, por edhe ato që janë autorizuar në kundërshtim me ligjin dhe nuk plotësojnë standardet, nëse plotësojmë gjithë zinxhirin e kontrollit, për produktet e qumështit, nënproduktet, për të gjitha produktet me origjinë shtazore, dhe pastaj kemi të drejtë të riftojmë auditimin e BE për të verifikuar dhe audituar këtë sistem kontrolli dhe të marrim vulën apo të drejtën e eksportit.

Kjo do të thotë një hapësirë e zhvillimit ekonomik i jashtëzakonshme për bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare, e cila në kushtet e sot sa do ta mbështesësh nuk rritet dot, sepse me pak fjalë ne i sheshim njëri-tjetrit produkte shtazore. Jemi të izoluar nga tregu evropian, hapja e këtij tregu do të rrisë mundësitë për më shumë biznes, më shumë punë dhe më shumë siguri për konsumatorin.

Ju jeni në krye të kësaj ministrisë, por institucionit funksionon me logjikën e vijueshmërisë, kur folët për verifikim, a do të ketë përgjegjësi për institucionin, i cili në të shkuarën nuk ka mbajtur ose ka shkelur ligjin duke mos kontrolluar, ose duke autorizuar njerëz që nuk plotësojnë kriteret ose standardet?
Ne kemi një traditë negative, të cilës duhet t’i japim fund, që nuk i shkojmë mbrapsht zinxhirit, sapo denoncohet, dhe dua t’iu falënderoj ju, gjithë mediat në përgjithësi, sidomos emisionet investigative, të cilat shpeshherë janë më të shkathta se strukturat tona, që denoncojnë raste të shkeljeve flagrante me dy këmbët, si p.sh. të një therjeje në oborrin e shtëpisë, siç është denoncuar së fundi.

Problemi është se kur këto raste denoncohen ne nuk i shkojmë mbrapsht gjithë zinxhirit për të gjetur se ku ai është shkëputur dhe gjetja e këputjes do të thotë se personi që e ka këputur zinxhirin duhet të mbajë përgjegjësi ligjore, kuadri ligjor nuk na mundon.

Duhet të kujtoj se edhe Kodi Penal, të gjitha ato veprime dhe mosveprime që cenojnë sigurinë e jetës së njerëzve dënohen me jo pak vite burg, kështu që është shumë i fortë kuadri ligjor, nëse ka nevojë të përmirësohet do ta përmirësojmë, por ne nuk na ka munguar ligji por zbatimi i tij.

Ju keni ndonjë verifikim, ndonjë rast, ndonjë zyrtar tuajin që nuk ka bërë si duhet detyrën dhe që po e hetoni aktualisht?
Aktualisht, ne po verifikojmë këto raste që janë denoncuar në publik, por check-lista e mbushur me dorën e çdo inspektori vetë do të auditohet, pra ne do të kontrollojmë kontrollorët. Të gjithë do të plotësojnë për çdo pikë therjeje, standardet, pa shumë komente, por thjesht me një kryq te kutitë e check listës, dhe në fund fare do bëjmë një auditim, nëse dikush ka gënjyer, ka falsifikuar apo ka dhënë një autorizim në kundërshtim me të drejtën që ligji i jep do mbajë përgjegjësi dhe përgjegjësia është penale.
Z. Basha në një seancë maratonë i tha kryeministrit se “ju po tentoni që me reformimin e administratës, të largoni nga puna njerëzit e LSI. Ndërkohë që ministria juaj është drejtuar nga njerëz të LSI. Përmes rajonizimit të drejtorive rajonale të bujqësisë apo të tjerë sektorëve, po shmangni ju njerëz të LSI dhe çfarë do të bëhet me njerëzit që LSI i ka emëruar në të gjithë rrjetëzimin e Ministrisë së Bujqësisë?

Është naivitet politik të mendosh që një qeveri bën një strukturë të re komplet, pra bashkon, shtrin institucione vetëm për të hequr njerëz nga puna. Në fund të fundit, struktura është themeli i efiçencës apo performancës së qeverisë. Çdo qeveri duhet të performojë, qoftë e majtë apo e djathtë. 

Ky është një spekulim politik. Unë në institucionin ku punoj, në institucionet e varësisë, por jam i bindur se jam marrë me institucionet e varësisë për të gjithë sektorët, nuk kemi pasur asnjëherë asnjë direktivë apo frymëzim të këtij lloji. Ka vetëm një frymëzim, që është nevoja për të optimizuar dhe për të rritur performancën dhe eficencën në institucionet tona.

Nëse ka një shqiptarë që thotë se 500 drejtorë është një numër “ok”, atëherë ëp e rishikojmë vendimin tonë, por jam i sigurt, të gjithë janë të ngopur nga drejtorët që krekosen nëpër zyra dhe ushtrojnë atë pushtetin e vetë duke “i nxirë” jetën shpeshherë popullit, qytetarëve, grupeve të interesit, sipërmarrësve, të cilët për fat të keq vazhdojnë ende të shikohen si hallexhinjtë. Ndërsa këta drejtorët që i prodhon vetë sistemi ynë iu duket se kanë në dorë t’iu nxijnë jetën dhe në këmbim të mos nxirjes së jetës të marrin në dorë gjithë ryshfetin. 

E gjithë filozofia është si ta përmbysim këtë strukturë, pra si sipërmarrësit kërkon një shërbim si promotor të shërbimit, jo si hallexhiu, por si ai që duke trokitur në dyert tona, për të marrë përsipër një risk, t’i vihemi në shërbim dhe ta mbështesim, por jo ta mërzisim apo ta burokratizojmë gjithë procedurën se mbrapa saj fshihet një sasi ryshfeti.

d.c.dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin