Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot një delegacion të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga kongresmeni Vern Buchanan, kryetar i Komitetit për Partneritetin për Demokraci. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt.
Në qendër të bisedimeve ishte forcimi i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si edhe bashkëpunimi për përballimin e sfidave të sigurisë dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon.
Gjatë takimit u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me theks te rëndësia e reformave dhe forcimit të institucioneve demokratike në kuadër të negociatave.
Palët ndalën vëmendjen edhe te zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe marrëdhënieve të biznesit, me synim krijimin e më shumë mundësive për investime dhe partneritete mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Në diskutim ishte edhe bashkëpunimi ndërparlamentar, si dhe nevoja për dialog konstruktiv mes forcave politike dhe grupeve parlamentare për avancimin e reformave, rritjen e transparencës dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Takimi rikonfirmoi rëndësinë e partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA-së për sigurinë, mbrojtjen e paqes, integrimin euroatlantik dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit.







Komente
Komento