Letonia ka rikonfirmuar mbështetjen e saj të plotë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mesazhi u dha gjatë vizitës zyrtare të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, në Riga, ku u prit nga Kryetarja e Parlamentit të Letonisë (Saeima), Daiga Mieriņa.
Gjatë takimit, Peleshi falënderoi Letoninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se anëtarësimi në BE mbetet një prioritet kombëtar që gëzon mbështetje të gjerë politike dhe qytetare.
Nga ana e saj, Kryetarja e Parlamentit të Letonisë, Daiga Mieriņa, rikonfirmoi mbështetjen e vendosur të vendit të saj për zgjerimin e Bashkimit Europian, duke e cilësuar atë një objektiv strategjik të BE-së në kushtet e sfidave të sotme gjeopolitike. Ajo theksoi se Letonia do të vazhdojë të mbështesë anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë dhe integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryetarja Mieriņa vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit mes vendeve tona në përballjen me fushatat dezinformuese dhe kërcënimet hibride. Ajo vlerësoi kontributin e Shqipërisë dhe riafirmoi mbështetjen e Letonisë për Ukrainën dhe theksoi nevojën për ruajtjen e unitetit euroatlantik përballë sfidave të sigurisë.
Dy homologët vlerësuan gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në kuadër të NATO-s. Kryetarja Mieriņa shprehu vlerësimin për kontributin e Shqipërisë në Aleancë dhe veçanërisht për praninë e forcave shqiptare në Letoni, në kuadër të forcimit të krahut lindor të NATO-s.
Gjatë takimit u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar dhe dypalësh në fusha me interes të përbashkët, si arsimi, turizmi, ekonomia dhe kontaktet mes qytetarëve, me synimin për t'i dhënë një dimension edhe më konkret marrëdhënieve shumë të mira mes Shqipërisë dhe Letonisë.
Në Saeima, Kryetari Peleshi zhvilloi gjithashtu takime me Kryetaren e Komisionit për Çështjet e Jashtme, Ināra Mūrniece, dhe Kryetarin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian, Edmunds Cepurītis. Në fokus të diskutimeve ishin aspektet politike dhe teknike të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, mbështetja parlamentare dhe publike në shtetet anëtare, intensifikimi i diplomacisë parlamentare, si dhe roli i Letonisë si një prej mbështetëseve më aktive të politikës së zgjerimit të BE-së.
Vizita në Letoni konfirmoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mbështetjen e palëkundur të Rigës për integrimin europian të Shqipërisë. Ajo dëshmoi gjithashtu angazhimin e përbashkët për forcimin e partneritetit në NATO, mbështetjen për Ukrainën dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Komente




