Ambasada amerikane në Prishtinë ka reaguar pas lajmeve se me llogarinë e tyre në twitter është bërë një pëlqim në një postim ku flitet për “çnjohjen e Kosovës nga 9 vende”. Në reagimin e bërë thuhet se në 24 orët e fundit nuk është bërë asnjë pëlqim në rrjetet sociale nga faqja e ambasadës, duke shtuar më tej se pavarësia e Kosovës është fakt dhe nuk vihet në pikëpyetje nga asnjë lloj përpjekje.
“Të jemi të qartë: Pavarësia e Kosovës është fakt. Qëllimi ynë parësor është të mbështesim Kosovën pasi ajo zë vendin e saj të merituar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ne kundërshtojmë kategorikisht çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Llogaria zyrtare e Ambasadës së SHBA në Twitter nuk ka “pëlqyer” qëllimisht asnjë postim në Twitter gjatë 24 orëve të fundit. Siç u përmend më herët: kur kemi një pozicion për të artikuluar, ne e bëjmë këtë nëpërmjet deklaratave zyrtare, që i atribuohen – jo nga një “like” e mediave sociale”- shkruhet në reagimin e bërë.
Ndërkohë politikanët serbë, nga ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç tek presidenti, Aleksandër Vuçiç kanë bërë të qartë se Serbia vijonte me fushatën për tërheqjen e njohjeve për Kosovën. Vuçiç së fundmi deklaroi se një tjetër shtet do të tërheqë njohjen e Kosovës por nuk ka zbuluar për cilin shtet bëhet fjalë.