Hapet Piramida, Veliaj: Do të shërbejë si qendër e madhe digjitale në Ballkan! Rama: Godina do mbajë miliona njerëz mbi shpinë e do hyjë në Guinness

TIRANË- Piramida, e cila u ndërtua në vitin 1988 në qendër të Tiranës për të shërbyer si muze i diktatorit Enver Hoxha, por që u mbyll 3 vjet më vonë pas rënies së komunizmit në vend, pas 2 vitesh punë (2021-2023) në rikonstruktimin e saj, është hapur tashmë për t’u kthyer në qendrën më të madhe rajonale në vend për inovacionin! Hapësira e Piramidës është transformuar si kurrë më parë në një stoli për qytetin, tha kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili shtoi se me shumë gjasë në të ardhmen do të kthehet si një nga vendet më të vizituara nga turistët, që do të vijnë në Tiranë. Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, Piramida do të shërbejë si një qendër e madhe digjitale në Ballkan për të rinjtë dhe të rejat.

‘Sot ne nuk hapim vetëm një ndërtesë, një stoli, apo një pikë observimi dhe një vend për t’u “instagramuar”, por hapim njëkohësisht dhe qendrën më të madhe digjitale në Ballkan për të rinjtë dhe të rejat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë,” u shpreh Veliaj.

Veliaj citoi dhe të madhin Ismail Kadare për të sjellë edhe përmes metaforës ndryshimin e një simboli, nga ai i diktaturës, në një simbol të fuqisë transformuese drejt së ardhmes së një qyteti.

 “Doja të citoja një nga kolosët tanë, Ismail Kadarenë, edhe për të përdorur metaforën e Piramidës për të gjithë ato ndryshime politike që ndodhin në Shqipëri në vitet ’90, thotë ekzaktësisht: ‘Një Piramidë e ka nismën ndryshe nga çdo ngrehinë tjetër, herë e ka nismën e ndërtimit me ngazëllim dhe herë e ka nismën e ndërtimit me dëshpërim”. Piramida e Tiranës ndoshta i përshtatet më shumë këtij përkufizimi. U nis si një ngrehinë për dëshpërim dhe sot rihapet si një ndërtesë për ngazëllim. Më vjen mirë që kemi mbërritur në këtë majë për Tiranën tonë e siç thotë ajo shprehja: "Maja e një mali është rrëza e një mali tjetër për t’u ngjitur edhe më lart,” u shpreh më tej kryebashkiaku Veliaj.

Nga Piramida e Tiranës, e shndërruar tashmë në qendrën me të madhe teknologjike, jo vetëm në Tiranë, por në gjithë rajonin, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shprehu bindjen se kjo hapsirë do hyjë në librin Guinness, për faktin se përveç aktiviteteve në brendësi të saj, do mbajë miliona e miliona njerëz edhe mbi shpinë.

“Gjëja më fantastike e këtij projekti janë shkallët që e bëjnë ngjitjen shumë të lehtë, nuk është ajo e përpjeta që simbolizon pamundësinë për të arritur në majë. Nga ajo guaska e Piramidës që u krijua për kultin e një njeriu të vetëm, tani është ‘shpina’ që mban mbi kurriz gjithë këta njerëz sot. ‘Shpina’ e kësaj Piramide do hyjë në Guinness sepse do të mbajë miliona, miliona njerëz në jetën e vet. Nuk besoj se do ketë godinë tjetër në botë, e cila funksionon si të gjitha godinat me aktivitete brenda vetes, por që shpina e saj do mbajë nuk e di sa miliona e miliona njerëz. Kështu që ta gëzojnë qytetarët e Tiranës, shqiptarët që jetojnë këtu, në Kosovë dhe kudo tjetër. Qendra do jetë përtej kufijve tanë, do kemi vend edhe për të tjerë. Është qendra më e madhe rajonale për sa i përket fuqisë së ka dhe do kthehet në qendrën më të madhe rajonale për s ai përket aktivitetit të vet”, tha Rama.

Piramida nuk do të jetë vetëm hapësira  e teknologjisë së informacionit, por edhe një stacion i turizmit në Tiranë, i atyre që duan të mësojnë historinë apo të shohin peizazhin.

Po ashtu Piramida do të funksionojë për trajnime, do të ketë biblioteke, salla ku njerëzit mund të mblidhen, salla ku mund të ekspozojnë punimet e tyre dhe qendër TUMO, një lloj i ri i përvojës arsimore në kryqëzimin e teknologjisë dhe dizajnit.

Programet që do të ofrohen nga TUMO janë: animacion, zhvillim i lojërave, kinematografi, ëeb design, muzike, shkrim, vizatim, dizajn grafik, modelim 3d, programim, robotik, grafike lëvizje, fotografi, media e re.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:45
FOTOT/ Piramida triumfon që ditën e parë, mijëra qytetarë vizitojnë godinën e transformuar

Mijëra qytetarë vizituan Piramidën e rilindur për t’u bërë zemra e Shqipërisë së Re të Inovacionit dhe streha më e madhe në rajon e të rinjve e të rejave që i përkushtohen teknologjisë digjitale. Sikurse mund të shihni edhe nga këto foto, që në ditën e parë qytetarë të shumtë vizituan ambientet e transformuara të Piramidës, duke u ngjitur me shkallë që e bëjnë ngjitjen shumë të lehtë për të arritur në majë të saj.
Transformimi i Piramidës në Tiranë vlerësohet si një nga 12 projektet më të mira arkitekturore në botë.

Revista e njohur në fushën e arkitekturës “Dezeen”, ka përfshirë edhe Piramidën, ku mijëra të rinj presin që të mësojnë gjuhët e kodimit, duke marrë një profesion të sigurt për vendin e punës. Fillimisht u ndërtua në vitin 1988 si një muze kushtuar ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha, por u mbyll tre vjet më vonë pas rënies së komunizmit në vend”, thuhet në shkrim. Institucioni arsimor TUMO Tirana do të drejtojë Piramidën pas rinovimit të saj. Ai do të ofrojë programe arsimore parashkollore për 12 – 18-vjeçarët, si robotika, animacioni, zhvillimi i lojërave, muzika dhe filmi.

Ora 20:40
Rama kujton dështimet e Berishës me Piramidën: Donte ta shembte për ta bërë parlament! Tentoi edhe të bënte Teatër Kombëtar

 

Edi Rama ka kujtuar çfarë tentoi të bënte Berisha me Piramidën, që sot pati inaugurimin e hapjes.

“Pati një moment kur qeveria e mëparshme tentoi ta shembte për të bërë parlament të ri dhe atje ka qenë një tjetër moment interesant se Piramidën e mbrojtjen të rinjtë, një masë e madhe vajzash dhe djemsh që s’ishin të nxitur nga partitë politike. Pastaj pati tentativë absurde për ta bërë Teatër Kombëtar dhe përsëri dështim i madh i qeverisë së mëparshme. U shpenzuan afro 5 milionë euro dhe Piramida u grabit dhe me ato që kishte. Iu morën pllakat e mermerit dhe mbeti një skelet që medmek do ishte skena e teatrit. Sfida tjetër është popullimi me start up-et, me botën digjitale.”

Ora 20:33
Rama për Piramidën: Ëndërr që bëhet realitet! Ishte degraduar, e ndarë me kioska! Nuk ishte e lehtë ta ruanim si pjesë kujtese

 

Kryeministri Edi Rama ka folur për realizimin e projektit të Piramidës duke thënë se është ëndërr që bëhet realitet.

“E kam pas ëndërr të më shohin nga lart poshtë. Kjo është një nga ëndrrat që sot bëhet realitet, ka qenë pikëpyetje e madhe prej shumë vitesh, që kur u bëra ministër i kulturës dhe quhej qendra ndërkombëtare e kulturës. Në fakt ishte hapësirë në degradim e ndarë me kioska brenda për shërbime të ndryshme dhe ajo që i mungonte ishin njerëzit, jeta e vet dhe nuk ka qenë aspak e lehtë për të ardhur në këtë rezultat sepse këto godina që bartin kaq shumë histori dhe histori aspak të lehtë për t’u mbajtur si pjesë e kujtesës, gjithmonë ngremë dilema se cfarë duhet bërë me to”, tha Rama.

/M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Grupi i trafikut të armëve Shqipëri-Kosovë, zbulohen detajet e operacionit! Ja si bëri Policia blerje të infiltruar

Grupi i trafikut të armëve Shqipëri-Kosovë, zbulohen detajet e operacionit! Ja si bëri Policia blerje të infiltruar