“KF Tirana prej disa ditësh kishte nisur këtë proces që kulmoi sot me zgjidhjen e premtuar nga presidenti Halili vetëm pak kohë më parë. Çështje të mbartura prej kohesh kishin krijuar një problem që meritonte zgjidhje. Klubi ka punuar me seriozitet duke i ndjekur çështjet të veçuara nga njëra-tjetra dhe duke i dhëne më pas një zgjidhje të menjëhershme për të shmangur pasojat negative”, shkruan ndër të tjera klubi bardheblu. Gjithsesi, Tirana nuk e ka mbyllur ende përfundimisht kapitullin e borxheve të prapambetura dhe për këtë, klubi sqaron se shumë shpejt kjo problematikë do të marrë fund për të ndërtuar të ardhmen mbi themele të shëndosha.
Klubi nuk pranon të zbardhë kontratat e shlyera në pagesën e fundit, por ky është një proces që ka nisur që prej muajit Qershor dhe vazhdoi më pas në Gusht kur Tirana pagoi 220 mijë Euro për të arkivuar përfundimisht disa nga çështjet e hapura me ish futbollistë dhe ish punonjës të klubit. Fundi i muajit Mars dhe fillimi i Prillit ishte konsideruar si afati i fundit për klubin nga organet ndërkombëtare të futbollit që prej kohësh kanë nisur negociatat me Tiranën për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe vendimi për të shlyer 198 mijë Euro i jep oksigjen grupit bardheblu që vazhdon të stërvitet me intensitet për të përgatirur ndeshjen e radhës kundër Tërbunit.
Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)