Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ka marrë pjesë ditën e sotme në takimin e organizuar në Lundër me drejtuesit rajonal të ISSH-s. Ky takim u oganizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqerore, ku në fokus ishte reforma e pensioneve për zonat rurale.

Nga ana e tij, ministri Veliaj dha dy porosi kryesore në mbledhjen e sotme me inspektorët e të vetëpunësuarve në bujqësi:  Më shumë kontribues në skemën e fshatit dhe komunikim të vazhdueshëm me banorët, për t’u shpjeguar atyre risitë e reformës së pensioneve.

Gjithashtu,  në krye të fjalës së tij, ministri Veliaj theksoi se reforma e pensioneve do të sjellë ndryshime rrënjësore edhe në skemën e fshatit, ku, nga kjo e fundit, të vetëpunësuarit në bujqësi do të përfitojnë pensione më të larta, ashtu dhe “ata që kontribuojnë më shumë dhe për më shumë vite”.

Rritjen e kontribuuesve ministri i Mirëqenies Sociale e lidhi ngusht dhe me integrimin e skemës rurale me atë urbane në një të vetme, kombëtare, e parashikuar të kryhet në vitin 2018. Ndërsa u la si kusht inspektorëve për të rinovuar kontratën e tyre, rritjen e numrit të kontribuuesve.

“Në vitin 2018, skema rurale do të integrohet me atë urbane në një skemë të vetme kombëtare. Por, kemi vetëm 100 ditë kohë deri në 1 janar 2015 për të punuar fort për rritjen e numrit të kontribuesve në skemë. Prandaj, secili prej jush do të ketë si kusht për rinovimin e kontratës, rritjen e numrit të kontribuesve në skemë”- deklaroi gjatë takimit ministri Veliaj.

Veliaj gjithashtu vuri theksin tek rëndësia që ka shpjegimi i kësaj reforme të pensioneve tek vetë banorët e fshatrave, duke u premtuar gjithashtu inspektorëve rajonalë një bonos, për çdo të siguruar që do të arrijnë të fusin në skemën e kontributive.

“Përsa i përket numrit të kontribuesve në skemën rurale, këtë vit kanë derdhur contribute vetëm 33 mijë persona. Kjo është një shifër jashtëzakonisht e ulët, po të kemi parasysh se gjysma e popullsisë në Shqipëri jeton në fshat.
Ju duhet të bëni një punë intensive me fermerët, t’u shpjegoni atyre skemën e sigurimeve dhe rëndësinë që ka kjo skemë për ta. Ju duhet t’i bindni ata që të sigurohen si dhe t’u përgjigjeni të gjitha pyetjeve që ata kanë përsa u përket pensioneve”- u shpreh ministri Veliaj mbi këtë problematikë.

Ministri Veliaj, në përfundim të fjalës së tij, u bëri thirrje banorëve të zonave rurale që të derdhin më shumë kontribute pasi kjo do të përkthehe në një pension më të lartë. Ndërsa theksoi se qysh nga 1 Janari i vitit 2015 nuk do të ketë më diferencë mes pensionit të fshatit dhe atij të qytetit.

“Nga 1 janari 2015 s’do të ketë më diferencë mes pensionit të fshatit dhe pensionit të qytetit dhe ata duhet të vazhdojnë të derdhin kontribute sepse kjo do t’ju përkthehet në një pension më të lartë”-  përfundoi ministri Veliaj.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)