Kina mbetet sfida kryesore për interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ndërsa Rusia mbetet një kërcënim "akut" me luftën e saj brutale në Ukrainë, thuhet në dokumentin e publikuar së fundmi nga Pentagoni mbi Strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare.
"Republika Popullore e Kinës është konkurrenti i vetëm në botë me qëllimin për të ndryshuar rendin ndërkombëtar dhe, gjithnjë e më shumë, me fuqinë për ta bërë këtë", u tha gazetarëve të enjten në Pentagon Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.
Një zyrtar i lartë i mbrojtjes, duke folur me gazetarët për strategjinë e re të mbrojtjes në kushte anonimiteti, tha se Kina vazhdon të fitojë më shumë "aftësi për të sfiduar në mënyrë sistematike Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat, atë ushtarake, ekonomike, teknologjike dhe diplomatike".
"Sfida e Kinës", sipas Sekretarit Austin, ka çuar në rritjen e aftësive mbrojtëse në të gjitha fushat ushtarake, veçanërisht hapësirën dhe hapësirën kibernetike, për t'i bërë të qartë çdo kundërshtari të mundshëm se "kostoja e agresionit kundër Shteteve të Bashkuara ose aleatëve dhe partnerëve tanë, është shumë më e madhe se çfarëdo përfitimi të imagjinueshëm që do të mund të sillte një sulm”.
Raporti i strategjisë vjenë në një kohë kur Kina dhe Rusia kanë përshkallëzuar agresionin kundër fqinjëve të tyre. Kina kërcënon në mënyrë të përsëritur se do të marrë nën kontroll Tajvanin, madje me forcë nëse është e nevojshme, dhe Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt dhe vazhdon të sulmojë qytete të shumta të Ukrainës me raketa dhe dronë të prodhuar nga Irani.
Një tjetër zyrtar i lartë i mbrojtjes, duke folur gjithashtu me gazetarët në kushte anonimiteti të enjten, tha se armët bërthamore do të vazhdojnë të jenë "gurthemeli" i aftësisë frenuese ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Sipas zyrtarit, strategjia e re e mbrojtjes pasqyron faktin se Shtetet e Bashkuara tani po përballen me dy konkurrentë të mëdhenj të armatosur me armë bërthamore, Rusinë dhe Kinën.
"Aftësitë e tjera jo-bërthamore kanë potencial të përmirësohen, por nuk mund të zëvendësojnë aftësinë frenuese të armëve bërthamore në disa rrethana", tha zyrtari.
Kërcënimet e tjera të mëdha
Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës paraqet "një kërcënim të menjëhershëm dhe të mprehtë", tha zoti Austin, duke bërë që Shtetet e Bashkuara të rrisin praninë e saj ushtarake në Evropë nga rreth 80,000 trupa në më shumë se 100,000.
Krahasuar me Kinën, Sekretari Austin u tha gazetarëve se "Rusia nuk mund të sfidojë në mënyrë sistematike Shtetet e Bashkuara në aspektin afatgjatë." Zyrtari i lartë shtoi se "Rusia është absolutisht e frenuar nga ndërmarrja e një sulmi ndaj NATO-s", pasi Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se do të mbrojnë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.
Por zyrtari ngriti shqetësimin se dështimet e Rusisë në fushën e betejës në Ukrainë mund të bëjnë që ajo të mbështetet më shumë në arsenalin e saj bërthamor në të ardhmen. Kërcënime të tjera të përmendura në Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes për vitin 2022 përfshijnë Korenë e Veriut, Iranin dhe ekstremistët e dhunshëm globalë.
Irani mbetet një faktor destabilizues në Lindjen e Mesme dhe financuesi më i madh shtetëror i terrorizmit, ndërkohë që vazhdon të zhvillojë aftësi bërthamore që do t'i mundësonin Teheranit të prodhonte një armë bërthamore.
Megjithatë, sipas raportit, "Irani nuk posedon sot një armë bërthamore" dhe Shtetet e Bashkuara "aktualisht besojnë se nuk po përpiqet ta prodhojë një armë të tillë".
Koreja e Veriut gjithashtu vazhdon të rrisë aftësitë e saj bërthamore dhe raketore për të kërcënuar forcat amerikane dhe aleatët amerikanë në rajon. Strategjia e vitit 2022 është kryesisht një vazhdimësi e asaj të publikuar në vitin 2018 nën Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis, e cila bëri një zhvendosje thelbësore nga theksi tek operacionet kryesisht kundër ekstremistëve në një luftë të mundshme me një konkurrent të afërt për nga aftësitë ushtarake.
Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara i dhanë fund luftës 20-vjeçare në Afganistan. Shtetet e Bashkuara ende kanë një numër të vogël trupash në Somali, Irak dhe Siri, por kryesisht janë tërhequr nga operacionet e mëdha kundër terrorizmit. Strategjia e re kërkon më shumë përparime në teknologji nga armët hipersonike deri tek inteligjenca artificiale. Sekretari Austin shtoi se buxheti i vitit 2023 përfshin më shumë se 130 miliardë dollarë për fushën e kërkimit dhe zhvillimit të armëve, buxheti më i madh i tillë kërkimor në historinë e Departamentit të Mbrojtjes./VOA