Kanë mbërritur në fshatin Gryksh të Peqinit 4 arkëmortet e familjes Kola e cila gjeti vdekjen tragjikisht në Itali si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit në banesë një javë më parë.

Banorë të fshatit dhe të afërm shprehen të pikëlluar para kamerave.

Ata thonë se ishin një familje e mrekullueshme, dhe vdekjen e tyre e kanë përjetuar shumë keq.

“Fshati Gryksh është në zi prej 7 ditësh. U shua një familje. Ishin njerëz të mirë, punëtorë. Kryefamiljari ka emigruar që kur ka qenë 14-vjeç”, shprehet një banor.

“Ishin familje e mrekullueshme. Hera e fundit që i kam takuar ka qenë para një viti. E kemi përjetuar shumë keq, është hataja më e madhe. Zoti u dhëntë jetë të afërmëve të tyre”, thotë një tjetër.


Lajmi kryesor:

Zi në Gryksh të Peqinit, një derë u mbyll përgjithmonë! Përcillen në banesën e fundit 4 anëtarët e familjes Kola që u shuan në Itali