Perëndimi u tregon shqiptarëve
listën e zezë për Shqipërinë 

Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, ka bërë një letër të hapur për popullin shqiptar, ku bën thirrje për pjesmarrje masive në zgjedhjet e 18 Qershorit dhe e konsideron vendimin e Partisë Demokratike për të bojkotuar zgjedhjet, si të qëllimshëm për të penguar demokracinë në Shqipëri.

Thirrja është një delegjitimim i qëndrimeve të Partisë Demokratike dhe një paralajmërim për izolimin e kësaj partie, nga keqpërdorimi i marrëdhënieve me Europën.

Prej pranverës së vitit 1992, kur diplomati amerikan Rajerson, u bëri thirrje të hapur shqiptarëve, të mos votonin ish- Partinë e Punës së Shqipërisë, kjo është thirrja e dytë në këto 25 vite pluralizëm, kur institucioni më i rëndësishëm i Bashkimit Europian për Shqipërinë, bën thirrje, fatkeqësisht, të izolohet një parti, që është partia që lindi në emër të idealeve europiane të shqiptarëve.

Në disa aspekte, kjo thirrje është dhe më e forte, dhe më agresive, se ajo e vitit 1992, pasi është në rangun e institucionit zyrtar të Bashkimit Europian.

Kjo keqkatandisje e Partisë Demokratike, ka në zanafillën e saj, vendimin e Sali Berishës për ta mbajtur partinë jashtë zgjedhjeve për interesa të tij tërësisht familjare, me shpresë se do të destabilizojë vendin dhe t’i shpëtojë ndërtimit të një sistemi të ri drejtësie, që do të ndëshkojë historitë e pandëshkuara të 25 viteve.

Gjatë muajit të fundit, Bashkimi Europian u investua përmes paketës McAlister, të fusë Partinë Demokratike në zgjedhje, me lëshime të paprecedenta nga qeveria rreth garancive për një proces zgjedhor të kontrolluar prej tyre, por Sali Berisha i refuzoi.

Në një përpjekje të dytë tinzare dhe të papërgjegjshme, Sali Berisha përgatiti trazira në Kavajë, duke planifikuar djegien e Bashkisë dhe disa institucioneve shtetërore, në prag të zgjedhjeve të pjesshme lokale, me shpresë se destabilizimi i një qyteti do të shërbente si model për destabilizimin e vendit. Sali Berisha u krenua dhe vazhdon të krenohet me këtë akt, duke e quajtur “Vaterlo” të Edi Ramës.

24 orë më parë, Partia Demokratike i doli zot një linçuesi me devijime psiqike, që bëri thirrje për vrasjen e ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë. Partia Demokratike jo vetëm që nuk bëri asnjë deklaratë distancuese nga një thirrje mbushur me gjuhë urrejtje,  nxitje për vrasje dhe poshtërim seksist dhe etnik, por përkundrazi, u mobilizua në shtypin e saj dhe rrjete sociale, të sulmonte këdo që i doli në krah ambasadores Vlahutin. Me një gjuhë të pështirë, i biri i Sali Berishës dhe disa langoj të tij, që i mban me bukë nëpër portale, sulmuan ikonën perëndimore të Shqipërisë, Ismail Kadarenë, për shkak se u rreshtua në anën e shumicës së shqiptarëve, që kanë qasje europiane ndaj sulmeve kundër  kryediplomates perëndimore, një gruaje dhe një qytetare e një vendi mik me Shqipërinë.

Lukunia e llapaqenëve që Partia Demokratike lëshoi kundër Ismail Kadaresë dhe gjithë atyre që i dolën në krah zonjën Vlahutin, është një lexim i qartë nga Bashkimi Europian se gjuha e urrejtjes ndaj diplomates dhe thirrjet për linçim të saj, kanë frymëzim politik, edhe pse për tellall është zgjedhur një njeri me devijacione psiqike.

Partia Demokratike ka muaj të tërë që ushqen gjuhën e urrejtjes ndaj diplomatëve perëndimorë në Tiranë, kryesisht ambasadores Vlahutin dhe ambasadorit amerikan Donald Lu, në përpjekje për të maskuar qëndrimin zyrtar të BE dhe SHBA, kundër tyre.

Thirrja e komisionerit Hahn, është fundi i këtij epilogu të turpshëm të Partisë Demokratike kundër Perëndimit. Thirrja vjen po ashtu në kohën e duhur, dy ditë para se Partia Demokratike dhe Sali Berisha, po  përpiqen të frikësojnë shqiptarët, se ditën e shtunë do të djegin Tiranën apo Shqipërinë. Thirrja është një kërkesë për çdo shqiptar, për t’u distancuar nga një grup i papërgjegjshëm politik, i cili nuk ka më lidhje me aspiratat e shqiptarëve për Perëndimin dhe që nuk do të gëzojë më mbështetjen e Bashkimit Europian, duke u konsideruar një forcë anti-perëndimore.

Ata që do të dalin në shesh ditën e shtunë, kanë mijëra arsye për të protestuar kundër qeverisë, por asnjë arsye për të qenë pjesë e përdorimit politik të dyshes Berisha- Basha, të cilët sot janë në listën e zezë të Perëndimit për Shqipërinë, në përpjekje për të nxitur një frymë anti-perëndimore në vend. Çdo keqkuptim për t’i dhënë oksigjen një bande anti-perëndimore në Shqipëri, është një mundim më shumë në rrugën e Shqipërisë drejt Europës. Çdokush që qëndron larg tyre, bën që Shqipëria të jetë më afër Perëndimit.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave