Për Gjirokastrën, thesarin e trashëgimisë kulturore, më shumë investime se 20 vite bashkë


GJIROKASTER, 21 Mars/ATSH/-Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrat Erion Veliaj dhe Arben Ahmetaj, deputetë të koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Europiane" dhe përfaqësues të pushtetit lokal, ishte sot në Gjirokastër ku inspektoi ecurinë e disa projekteve të rëndësishme për qytetin, në kuadër të projektit "Rilindje e Qyteteve".
Kryeministri Rama inspektoi punimet për ndërtimin e Parkut të Viroit në Gjirokastër. Shëtitorja në Parkun e Viroit, 1.7 kilometra, shtrihet përreth Liqenit të Viroit. Me këtë investim synohet të rivitalizohet Parku si destinacion turistik, por edhe të kthehet në një hapësirë me funksionalitet social për qytetarët e Gjirokastrës. Punimet kanë përfshirë rikonstruksionin apo ndërtimin nga e para të 7 segmenteve të saj, ku kombinohen rrugët për automjete me trotuaret për këmbësorë, pista e vrapimit dhe korsia për biçikleta. Një amfiteatër i hapur, fusha e basketbollit dhe ambiente të tjera për aktivitete sportive ndërtohen për herë të parë në hapësirat e Parkut.
Një tjetër projekt i rëndësishëm për Gjirokastrën është rikonstruksioni i plotë i rrugës hyrëse të qytetit, në segmentin nga Parku i Viroit deri tek Varrezat e Dëshmorëve. Projekti parashikon rikonstruksionin dhe zgjerimin e rrugës ekzistuese, realizimin e sinjalistikës horizontale e vertikale, realizimin e rrjetit të kanalizimit të ujërave të bardha etj. Projekti rikoncepton edhe hapësirën. Në krah të rrugës do të ndërtohet një pedonale e veshur me pllaka guri dekorative, pistë vrapimi dhe korsi për biçikletë. Ky investim do të bëjë Gjirokastrën me një rrugë hyrëse ku gërshetohen elementët tradicionalë dhe bashkëkohorë.
Në Gjirokastër ka nisur edhe rikonstruksioni i rrugëve me kalldrëm në zonën muzeale të qytetit. Një projekt i posaçëm po zbatohet për rikonstruksionin e rrugëve që të çojnë në shtëpinë e shkrimtarit Ismail Kadare, që përfshin ndërtimin e shtresave të reja të kalldrëmit, ndërtimin e trotuareve në pjesë të veçanta të rrugëve, veshjen me pllaka guri të zi të "Sokakut të të Marrëve", si dhe realizimin e ndriçimit rrugor me shtylla dekorative në të tre segmentet.
Gjithashtu janë 29 rrugë dhe rrugica të qytetit, me gjatësi të përgjithshme mbi 5.4 kilometër, ku po punohet për rikonstruksionin e plotë të tyre. Rehabilitimi përfshin ndërtimin e shtresave të reja të kalldrëmit, ndërtimin e trotuareve me kalldrëm, sistemimin e infrastrukturës nëntokësore, ndërtimin e veprave të artit, ndërtimin e trotuareve në rrugët me asfalt, realizimin e ndriçimit rrugor me shtylla dekorative.
Rikonstruksioni i gjimnazit "Siri Shapllo" është një tjetër kantier pune në këtë qytet.
Pasi inspektoi këto kantiere të rilindjes urbane të qytetit, Kryeministri Rama tha se pas vitesh harrese, Gjirokastrës po i kthehet vëmendja që ky qytet meriton. Ne po mbajmë zotimin tonë dhe në Gjirokastër, tha Kryeministri, po investohet sa në mbi 20 vite sëbashku.
"Ishte një ditë e bukur sot dhe në Gjirokastër, sepse faktikisht, qyteti po fillon të marrë frymë dhe projektet e kantierit tonë të rilindjes po fillojnë të marrin formë, duke i dhënë Gjirokastrës shpresën e humbur për kaq shumë vite dhe duke i kthyer vëmendjen nga ky thesar i madh i trashëgimisë sonë kulturore. Ne do të vazhdojmë të bëjmë për Gjirokastrën edhe më shumë. Që tani kemi mbajtur zotimin që në qeverisjen tonë, Gjirokastra do të marrë më shumë vëmendje dhe më shumë financime sesa në 20 vite të shkuara, të mbledhura së bashku. Megjithatë, edhe në vitet e ardhshme, kjo do të vazhdojë dhe Gjirokastra do të fillojë të shkëlqejë siç i ka hije, falë qeverisjes së socialistëve dhe progresistëve"./a.g/

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Përplasja në Këshillin Bashkiak, Tedi Blushi: Seanca ishte planifikuar për gjakderdhje! Veliaj ishte me anti-plumb, kishte njerëz të armatosur