Për herë të parë, Kosova merr vlerësim kreditor

Për herë të parë, Kosova merr vlerësim kreditor

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës - Hekuran Murati

Agjencia ndërkombëtare Fitch Ratings, ka dhënë vlerësim kreditor ‘BB-’ për Kosovën. Vlerësimi kreditor mat aftësinë e Qeverisë për të shlyer borxhet e saj.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës.

“Ky vlerësim kreditor do të shërbejë si një pasaportë për Kosovën për çdo investitor të huaj që është i interesuar që të shoh se a ja vlen të investohet në vendin tonë. Po ashtu do të ndikojë në uljen e kostos së financimit, që rrjedhimisht do të ketë mundësi më tepër për financim për bizneset tona”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati përmes një video-deklarate të publikuar në Facebook.

Kjo është hera e parë që është publikuar një vlerësim kreditor për Kosovën.

Sipas Ministrisë së Financave, kjo po ashtu “merr parasysh qëndrueshmërinë e politikave fiskale, borxhin publik, deficitin, rritjen ekonomike, sektorin bankar, dhe cilësinë e qeverisjes ndër tjera”.

Në vlerësimin kreditor merren parasysh shumë faktorë ekonomikë, financiarë, institucionalë e politikë, andaj ai tregon nëse shteti ka qëndrueshmëri ekonomike dhe financiare.

“Ky vlerësim kreditor e vendos Kosovën në hartën botërore të shteteve serioze me politika të qëndrueshme, duke forcuar kështu edhe më tej pozicionin e vendit dhe njohjen në arenën ndërkombëtare”, tha Ministria e Financave.

Vlerësimi Kreditor për Kosovën është mbështetur nga Agjencia e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Shkalla e vlerësimit të kredive sovrane: Ku qëndron rajoni?

Shkallët e vlerësimit të kredive nga Fitch bëhet duke përdorur kategoritë: AAA (Cilësia më e lartë e kredisë), AA (Cilësi shumë e lartë e kredisë), A (Cilësi e lartë e kredisë); BBB (Cilësi e mirë e kredisë), BB (Spekulative), B (Shumë spekulative), CCC (Rrezik i konsiderueshëm i kredisë), CC (Nivel shumë i lartë i rrezikut të kredisë), C (Pranë mospagesës), RD (Mospagim i kufizuar) dhe D (mospagim).

Një + dhe - shtesë nga kategoritë AA deri në CCC nënkupton dallimet relative të mundësisë së mospagimit ose rikuperimit.

Shqipëria ka nivelin e njëjtë sikurse Kosova, me vlerësim kreditor BB-, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë vlerësimin BB+, Bosnje e Hercegovina ka B+, Kroacia ka BBB+, Gjermani AAA, Italia BBB, Greqia BBB-, kurse Pakistani CCC+.

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase