Për herë të parë, Shqipëria miraton Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale deri në vitin 2030. Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala thotë se në fokus do të jetë zgjerimi i testimit dhe diagnostikimit të hepatiteve B dhe C, si mënyrë për të luftuar cirozën dhe kancerin e mëlçisë.
“Plani i ri kombëtar synon ta afrojë Shqipërinë me objektivin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030. Ministrja e Shëndetësisë theksoi se prioritet do të jetë diagnostikimi i hershëm, zgjerimi i testimit dhe rritja graduale e aksesit në trajtim, për të parandaluar format më të rënda të sëmundjes”, shprehet Sala.
Sipas ministres, qendrat e specializuara do të vijojnë të kenë rol kyç, ndërsa paralelisht do të forcohen shërbimet rajonale, kujdesi parësor dhe kapacitetet diagnostikuese në të gjithë vendin. Plani është hartuar në bashkëpunim me ekspertë vendas dhe partnerë ndërkombëtarë, duke u mbështetur në standardet e OBSH-së.
“Hepatitet virale mbeten ndër shkaqet kryesore të cirozës dhe kancerit të mëlçisë. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë e konsideron këtë plan një pjesë të rëndësishme të luftës kundër kancerit, me synimin për të ulur infeksionet e reja, për të rritur diagnozat dhe trajtimet në kohë, si dhe për të mbrojtur më shumë jetë”, thotë Sala.
Komente










