TIRANË- Mungesa e sinjalistikës paralajmëruese në hyrje të tuneleve në ish-sheshin ‘Shqiponja’, ka sjellë një kaos në trafik, por edhe duke u shndërruar në një burim aksidentesh. Shoferët që vijnë nga Durrësi e kanë pasur shumë të vështirë që të gjejnë tunelin që duhet të kalojnë për të shkuar në destinacionin e tyre.

Report Tv me gazetarin Arsen Rusta ka bërë një panoramim të situatës së krijuar në ish- Sheshin ‘Shqiponja’, ku hapja e tunelit numër 5, pak ditë më parë, nuk ka sjellë një lehtësim të trafikut, përkundrazi. Për të shkuar në qendër, qytetarët duhet të kthehen djathtas, e ndërsa për të ikur në ‘Astir’ duhet të kalojnë në tunel, ndërkohë që më parë ka qenë e kundërta. Për këtë ndryshim që është bërë, qytetarët nuk njoftohen me anë të tabelave të paktën 250 metra, siç parashikohet në Kodin Rrugor, por janë të vendosura pikërisht në hyrje të tunelit. Kjo ka bërë që qytetarët të kryejnë manovra të rrezikshme.

Për Report Tv, qytetarët janë shprehur se e kanë pasur shumë të vështirë që të gjejnë drejtimin nga duhet të shkojnë, pasi nuk janë informuar me anë të tabelave. Ka pasur edhe nga ata që kanë bërë edhe ironi duke thënë se “i duket sikur jeton në Angli”, ka të tjerë që “janë çmendur” nga ky kaos”.

“A jemi në Angli?”

“Na çmendën.”

“Është gabim tabela, duhet vënë një tabelë qendrore atje që të kuptohet.”

“Në qendër, shumë e vështirë, hera parë pas një viti, s’kishte tabela.”

"Kishte vetëm te pika këtu, janë shkronja shumë të vogla, për herë të parë u ngatërruam, shkuam në Laprakë, e pësuam dhe e mësuam.”

"Tani e kuptova, nuk kishte një tabelë.”

“E kam pasur shumë vështirë.”

“Vështirë fare, shumë sikletë.”, shprehen qytetarët për Report Tv.

Drejtues të policisë rrugore i thanë ReportTv se kanë kontaktuar firmën që kryen punimet për të shtuar sinjalistikën me tabela, semaforë sinjalizues të devijimit të trafikut si dhe barrierat ndarëse. Këto elementë të sinjalistikës sipas policisë rrugore do të shmangnin ndërrimin e korsisë në hyrje të tuneleve duke shkaktuar kaos, trafik dhe aksidente.

Mungesa e sinjalistikës, mos prezenca e një patrulle policie në këtë aks problematik, por edhe mungesa e informimit nga ana e qytetarëve kanë krijuar një situatë kaotike. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse do të ketë një reagim nga ana e autoriteteve sa i përket apelit të Report Tv.

Si vijon lëvizja në ish-sheshin Shqiponja?
- Lëvizja e automjeteve nga autostrada (Durrës-Tiranë) në drejtim të rrugës “Dritan Hoxha” (Laprakë) dhe anasjelltas do të realizohet drejt në nivelin 0 të parashikuar në projekt.
- Lëvizja e automjeteve që vijnë nga autostrada (Durrës-Tiranë) në drejtim të Unazës së Madhe do të realizohet nëpërmjet Galerisë Nr. 5.
- Dalja nga Tirana për mjetet që vijnë nga Unaza e Madhe drejt autostradës do të realizohet nëpërmjet Galerisë Nr.3
- Dalja nga Tirana për mjetet që vijnë nga pjesa veriore (ish-kombinati, rruga “Josif Pashko”) drejt autostradës do të realizohet nëpërmjet Galerisë Nr. 4.