Për Prokurorinë dhe rastet e 
dy deputetëve Noka – Mediu!

Për Prokurorinë dhe rastet e <br />dy deputetëve Noka – Mediu!
Ka dy raste flagrante ku Prokuroria po bën sikur heton, por në fakt po prodhon alibira, lidhur me konfliktin që kanë me ligjin e dekriminalizimit dy deputetë, Flamur Noka dhe Fatmir Mediu.

Shtypi po raporton, me burime anonime nga Prokuroria, se është dërguar një letër porosi për Policinë e Prizrenit për të vërtetuar nëse Flamur Noka ka qenë i ndaluar nga policia serbe në vitin 1991.

Nëse kjo gjë ka ndodhur, tregon se Prokuroria po kërkon arsye të mbyllë hetimin. Të gjithë e dimë, që policia e sotme e Kosovës, nuk posedon zyrtarisht arkivat e policisë serbe të vendosur në Kosovë në vitin 1991, pasi ato ose janë djegur, ose janë marrë me vete në Beograd, dhe kësisoj nuk ka çfarë përgjigje të kthejë.

Denoncimi i bërë nga gazeta “TemA”, nuk i referohet policisë serbe, por vetë Flamur Nokës dhe policisë së shtetit shqiptar.

Sipas dëshmisë që gjendet në arkivën e Ministrisë së Brendshme të shtetit shqiptar, Flamur Noka është një nga fshatarët e arratisur nga Novoseja për në Kosovë, që në atë kohë administrohej nga Serbia.

Sipas dëshmisë së vetë Flamur Nokës para policisë shqiptare, kur është riatdhesuar, ai është mbajtur gjatë në policinë serbe në Prizren dhe i është bërë ofertë të bëhet agjent i UDB. Ai thotë se është pyetur me hollësi për ata që drejtojnë PD në Tiranë dhe Kukës dhe lidhjet e tyre me Ibrahim Rugovën në Kosovë. Raporti i policisë shqiptare është i plotë, është zyrtar, është i certifikuar në Arkivën e shtetit shqiptar dhe Prokuroria mund ta ketë në dispozicion, nëse e kërkon.

Ajo mund t’i thellojë hetimet dhe të pyesë policinë që ka marrë në pyetje Flamurin dhe vetë Flamurin, por nuk ka pse kërkon dokumenta aty ku e di që nuk ka.

Akuza ndaj Flamur Nokës nuk është pse është arratisur, se mirë ka bërë. Nuk është as pse ka pranuar, apo pse nuk ka pranuar, ofertën për t’u bërë agjent i UDB, se këtë nuk e vërtetojmë dot me letra, po vetëm nëse analizojmë jetën e tij nga një fshatar injorant, në krye të policisë shqiptare.

Ajo që ne provojmë, është se formulari i vetdeklarimit që ligji i dekriminalizimit u ka ofruar deputetëve, ka pyetje specifike për ndalimin, ose hetimin nga ndonjë polici e huaj, ose shqiptare, dhe Flamur Noka në të gjitha rastet është përgjigjur “Jo”. Pra, ai ka gënjyer dhe ky është krimi i tij. Historitë e tjera pastaj mbetet të hetohen, por ai duhet të përballet me deklarimin e rremë në formularin e tij.

Rasti i dytë është Fatmir Mediu.  Gazeta “TemA” ka botuar një kopje të pasaportës së tij diplomatike, lëshuar nga viti 2002 dhe përdorur deri në vitin 2007, ku ai figuron me emrin Fatmir Medihoxha. Zoti Mediu është treguar korrekt dhe e ka pasqyruar atë në formular. Por problemi është se zoti Mediu ka poseduar një dokument zyrtar të falsifikuar, pasi në asnjë regjistër të gjendjes civile në Shqipëri, nuk figuron ndonjë shtetas me gjeneralitete Fatmir Medihoxha. Pra, ndryshe nga trafikantët e tjerë, që i kanë përdorur këto emrat e dytë apo të tretë, si nofka jashtë vendit, ose duke ndryshuar emrin në gjendje civile këtu, Mediu ka prodhuar një pasaportë diplomatike me gjeneralitete të tjera nga ato realet, për të shmangur arrestimin nga gjykata italiane, e cila e kishte dënuar në atë kohë me katër vjet burg dhe ndalim të ushtrimit të veprimtarisë si politikan.

Zoti Mediu, por dhe ata që ja kanë lëshuar këtë dokument, duhet të përballen me veprën e fallsifikimit të një dokumenti zyrtar, me qëllim fshehjen nga drejtësia.

Krimi i falsifikimit të një dokumenti zyrtar, është penalizues për ligjin e dekriminalizimit, ndaj dhe Prokuroria duhet ta hetojë seriozisht lëshimin e një pasaporte fallco për Fatmir Medihoxhën.

Bashkë me rastin Noka, këto janë dy raste tipike, kur Prokuroria bën sikur kërkon të dhëna, por në fakt kërkon alibira. Në rastin e Flamur Nokës, ajo ka dokumentat e shtetit shqiptar dhe vetë deklaratat e Flamur Nokës, dhe nuk ka pse humbet kohën të kërkojë në Prizren, ndërsa në rastin e Fatmir Mediut nuk duhet të mjaftohet me faktin se ai e ka deklaruar dhe dënimin në Itali dhe mbajtjen e dy mbiemrave, por duhet të hetojë prodhimin fallco të një dokumenti të lartë zyrtar, siç është pasaporta diplomatike, me identitet të rremë, pasi Fatmir Mediu nuk e ka pasur kurrë emrin Fatmir Medihoxha në shtetin shqiptar.

dokumenti
dokumenti
(Dokumenti i Arkives se Ministrise se Brendeshme qe ka marre ne pyetje Flamur Noken pas riatdhesimit nga policia serbe)

formulari i flamur nokes
(Formulari i vetëdeklarimit të Flamur Nokës)

mediu
(Identiteti i rremë i Fatmir Mediut në një pasaporte diplomatike që duhet hetuar)


mediu
(Identiteti i dytë i Mediut i vetëdeklaruar, por që nuk provohet nga Gjendja Civile)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mjeku s'mund të kurojë të njëjtin pacient në shtet e privat, e mbështesni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik