'Perandoria' e biznesit mbi një krim: Si i shpëtuan vëllezërit Çilotaj drejtësisë

'Perandoria' e biznesit mbi një krim: Si i shpëtuan vëllezërit Çilotaj drejtësisë

Vila e familjes Çilotaj

Në nëntor të vitit të mbrapshtë 1997, Nurie Hoxha u largua nga Shqipëria me ëndrrën për të nisur një jetë të re në Athinë. Vajza ishte 24 vjeç e kapërceu për herë të parë pragun e qytezës së Patosit, në ndjekje të premtimit për martesë nga Muhamet Shpërdheja.

Në vend të martesës, 24-vjeçarja “u pagëzua” me emrin Katerina dhe u detyrua të punonte në një shtëpi publike. Tre muaj pas mbërritjes në Athinë, ajo vdiq nga dhuna barbare, e ndëshkuar se nuk mundi të fitonte më shumë para për të fejuarin e saj tutor.

“Ajo duhej të siguronte më shumë se 14 klientë në natë për të bërë shumën e parave që duhej,” ka dëshmuar për prokurorinë E.Sh, një tjetër ish-punëtore seksi dhe dëshmitare e natës së krimit të ndodhur më 13 shkurt 1998.

“Muhameti e goditi atë në pjesë të ndryshme të trupit, pas derës dhe mureve të dhomës. Më pas, i ka vënë duart në fyt dhe e ka mbytur,” thuhet në dëshminë e vajzës, ku implikohet si bashkëpunëtor edhe i vëllai tjetër, Shpëtim Shpërdheja.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dosjeve gjyqësore tregojnë se ndonëse u akuzuan nga drejtësia greke dhe ajo shqiptare për shfrytëzimin për prostitucion dhe vrasjen barbare të 24-vjeçares Nurie Hoxha, Muhamet dhe Shpëtim Shpërdheja i shpëtuan drejtësisë. Në të kundërt, ata u kthyen në Shqipëri, ndërruan identitetin dhe nisën të hidhnin themelet e perandorisë së tyre financiare, që sipas Prokurorisë së Fierit kap sot vlerën e dhjetra milionë eurove.

Sot rreth të 50-ave, Muhamet Shpërdheja është ende në arrati ndonëse mban mbi shpinë një dënim me 16 vjet burg për shfrytëzimin e Nurie Hoxhës për prostitucion dhe vrasjen e saj. Ndërsa vëllai i tij, Shpëtim Shpërdheja u dënua me 14 vjet burg nga Gjykata e Fierit për bashkëpunim në vrasje, por vendimi u rrëzua më pas nga Gjykata e Apelit të Vlorës, e cila i dha pafajësinë.

Të kthyer fillimisht në Shqipëri ditën kur viktima e tyre ndërroi jetë, vëllezërit Shpërdheja tentuan të fshijnë gjurmët e krimit përmes ndërrimit të identitetit. Në tetor 2011, me një vendim të këshillit bashkiak të Patosit, e gjithë familja e ndërroi mbiemrin në Çilotaj.

Një vendim i 31 majit 2018 i Gjykatës së Fierit identifikoi se familja Çilotaj zotëronte mbi 100 apartamente në Tiranë, Vlorë, Durrës dhe Sarandë, sipërfaqe të konsiderueshme toke si dhe dhjetra llogari bankare, të cilat dyshohet se kanë si burim aktivitetet e tyre kriminale. Përveç aseteve në pasuri të patundshme, ata zotëronin gjithashtu kompani ndërtimi dhe hidrokarburesh, të cilat janë vendosur tashmë në sekuestro preventive nga Gjykata e Fierit.

Në të njëjtën ditë, gjykata vendosi masën e “arrestit me burg” për dy vëllezërit Shpëtim dhe Vladimir Çilotaj si dhe “detyrim paraqitje” për babanë e tyre, Agurin dhe vajzën e Vladimirit, Jonidën.

Sipas Prokurorisë së Fierit, vëllezërit Çilotaj akuzohen se janë përfshirë në një skemë pastrimi të parave, që dyshohet se kanë si burim aktivitetet e tyre kriminale, në bashkëpunim me pronarin e një pike të këmbimit valutor.

“Mund t’u konfirmoj që kemi një sërë materialesh nga partnerët tanë që vërtetojnë aktivitetin e paligjshëm e vëllezërve Çilatoj, kryesisht në  trafikimin e qenieve njerëzore,” i tha BIRN prokurori i çështjes, Asllan Bajrama.

E kontaktuar nga BIRN, avokatja e Shpëtim Çilotajt, Megi Zonja i hodhi poshtë akuzat.

“Klienti im ka qenë në Fier, ka qenë bashkëpunues me Prokurorinë dhe për shkak se atij i është vendosur një masë sigurimi në mungesë nuk ka pasur njoftim…,” tha avokatja Zonja.

“Nuk kemi një vepër penale për të cilën Prokuroria i referohet,  që të ketë gjeneruar pasuri. Kemi një vendim të vitin 2008,  për të cilin klienti im është shpallur i pafajshëm,” shtoi ajo, duke iu referuar vendimit të pafajësisë së Gjykatës së Apelit të Vlorës për Shpëtim Çilotajn.

Dështimi i drejtësisë

Shfrytëzimi i Nurie Hoxhës dhe vdekja e saj nga torturat çnjerëzore u lanë për pesë vite në harresë, derisa në janar të vitit 2004, Prokuroria e Fierit arrestoi Shpëtim Çilotajn për krimin. Të dhënat gjyqësore që BIRN disponon tregojnë se nga i vëllai, Muhamet Çilotaj nuk u gjet asnjë gjurmë.

Hetimet zgjatën për 4 vite dhe në fund të tyre, Gjykata e Rrethit Fier shpalli Muhamet dhe Shpëtim Çilotajn fajtorë për shfrytëzimin e Nurie Hoxhës për prostitucion si dhe vrasjen e saj për arsyen se “nuk arrinte të fitonte mjaftueshëm para”.

Sipas vendimit të shkallës së parë, që BIRN e disponon, Muhamet Çilotaj e ka rrahur për 15 minuta Nurie Hoxhën dhe më pas i ka vënë duart në fyt, në dhomën e një apartamenti në rrugën Mesolongiu të lagjes Agio Varvara të Athinës. Sipas vendimit të gjykatës, i vëllai Shpëtim Çilotaj, jo vetëm që nuk bëri asgjë për të shpëtuar viktimën, por e inkurajoi të vëllanë të shtonte intensitetin e dhunës.

E masakruar keqaz, 24 vjeçarja është lënë të lëngojë në shtat gjatë gjithë natës dhe pavarësisht lutjeve për ndihmë, nuk i është dhënë asnjë trajtim mjekësor. Mëngjesin e 14 shkurtit 1998, ajo nuk shfaqte asnjë shenjë jete.

Të gjendur nën panik, Shpëtim Çilotaj merr arratinë për në Shqipëri, ndërsa i vëllai e mbështjell trupin me një batanije dhe pasi pajton një taksi, e braktis vajzën në grahmat e fundit të jetës në spitalin Nikea të Athinës.

Ka bërë aksident”, mësohet t’i ketë thënë ai infermierit dhe më pas bën gati valixhet bashkë me pasaportën dhe kthehet edhe ai në Shqipëri.

Në të njëjtin mëngjes, Nurie Hoxha shpallet e vdekur nga stafi i spitalit, i cili fillimisht nuk ishte në dijeni të identitetit të saj.

“Në pjesën e trurit  kishte thyerje në dy hemisferat. Në pjesën e fytyrës viktima kishte  thyerje të hundës, nxirje të syve, çarje intensive të lëkurës, kryesisht në  pjesën e djathtë të  nofullës dhe buzëve.  Vdekjes  së viktimës i ka parapritë rrahja e rëndë dhe më pas është mbytur me shtrëngim”, thuhet në ekspertizën mjeko-ligjore të shtetit grek.

Të kthyer në Shqipëri dhe me një identitet të ri, vëllezërit Çilotaj vazhdojnë jetën të patrazuar deri në vitin 2003, kur prokuroria e Fierit i akuzoi për vrasjen e Nurie Hoxhës.

Më 28 janar 2004, Shpëtim Çilotaj arrestohet, ndërsa vëllai i tij i madh nuk gjendet nga policia. Të dhënat e dosjes gjyqësore tregojnë megjithatë se Shpëtimi u lirua nga burgu vetëm dy javë më pas nga Gjykata e Apelit të Vlorës, pasi la në këmbim si garanci 1 milionë lekë.

Procesi gjyqësor në Gjykatën e rrethit Fier përfundoi dhjetë vjet pas krimit, më 8 janar 2008, ku sipas vendimit, Muhamet Çilotaj  u dënua me 16 vjet burg dhe i vëllai, Shpëtimi me 14 vjet burg pasi përfituan edhe uljen e 1/3 së dënimit.

Vendimi u kundërshtua në Gjykatën e Apelit të Vlorës, e cila brenda 6 muajve vendositë rrëzojë akuzat dhe të pushojë çështjen në ngarkim të Shpëtim Çilotajt.

Treshja e gjyqtarëve, e përbërë nga Sashenka Jonuzi, Iliba Bezati dhe Meme Rexha argumentojnë në vendim se gjykata e shkallës së parë e fajësonte me të drejtë Muhamet Çilotajn, por provat në ngarkim të vëllait të tij, Shpëtimit “ishin të dyshimta, të paqarta dhe arsyetimi i shkallës së parë ishte kontradiktor”.

Gjykata e Apelit të Vlorës argumenton se viktima kryente prostitucion në një shtëpi publike të licensuar, ndaj dijenia apo shoqërimi i saj i shpeshtë për atje nga Shpëtim Çilotaj nuk “përbën provë në kuptimin që është subjekt i veprës shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese”.

“Për një veprimtari apo aktivitet të lejuar, të licensuar.. pasja dijeni nga ana e të pandehurit Shpëtim Çilotaj e shumta përbën moskallëzim krimi,” shkruhet në vendim.

Sa i përket akuzës së “vrasjes me dashje në lidhje me një krim tjetër”, Gjykata e Apelit e përjashton gjithashtu rolin e Shpëtim Çilotajt, duke argumentuar se shkalla e parë e ka përfshirë atë në mënyrë mekanike si bashkëpunëtor nga shkalla e parë.

“Gjykata e faktit nuk ka përcaktuar nëse i pandehuri ka qenë pa ndërprerje  në banesë në darkën e datës 13.02.1998 dhe gjatë natës që ka ndodhur ngjarja (rrahja)…”, arsyeton gjykata e Apelit në Vlorë, e cila shpall fajtor për krimin vetëm Muhamet Çilotajn.

Me argumentet e mësipërme, Gjykata e Apelit të Vlorës rrëzoi akuzat dhe pushoi çështjen ndaj Shpëtim Çilotajt. Vendimi i pafajësisë mbeti në fuqi edhe pasi Prokuroria bëri rekurs në Gjykatë të Lartë.

Rruga drejt pasurisë

Vrasja barbare e Nurie Hoxhës dhe dyshimet për implikime të tjera në Perëndim nuk u bënë pengesë për katapultimin e Shpëtim Çilotajt në biznes dhe zgjerimin e pasurisë së tij nga Tirana në Sarandë. Ndërkohë që vëllai i dënuar, Muhamet Çilotaj doli nga skena, kompanitë e familjes u administruan nga vëllai tjetër, Vladimir Çilotaj, i ati Agur Çilotaj dhe mbesa Jonida.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë gjithashtu se në kuadër të ligjit Antimafia, Prokuroria e Fierit ka nisur një procedim penal për “pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale” që në vitin 2010 ndaj pasurive të familjes Çilotaj. Megjithatë, dosja qëndroi e heshtur deri në maj 2018, kur Policia e Shtetit deklaroi se zbuloi ndërtimin e një laboratori të prodhimit të lëndëve narkotike në pronën e Vladimir Çilotajt.

Në Mbrostar të Fierit, forcat e policisë zbuluan ndërtimin e një godine me prozhektorë të fuqishëm dhe pajisje të tjera, e cila dyshohet se përdorej për kultivim hashashi. Punëtorët u justifikuan se po ndërtonin “një pulari”, por policia deklaroi se kishte gjetur mbetje të hashashit në të.

Sipas hetimit pasuror, kompania e parë e biznesit është themeluar nga Shpëtim Çilotaj në vitin 2002. Kompania “Çilotaj Group LTD” është pjesë e rrjetit prej 5 kompanish biznesi të familjes Çilotaj, të cilat u sekuestruan nga Prokuroria e Fierit në fund të majit 2018 me dyshimin se ishin përfshirë në “pastrimin e parave”.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Shpëtim Çilotaj ia shiti kompaninë të vëllait, Vladimir Çilotajt në dhjetor 2003, pak pasi Prokuroria e Fierit nisi hetimet kundër tij për vrasjen e ndodhur në Greqi. Në vitin 2005, nëpërmjet një kontrate shitjeje me vlerë 100 mijë lekë, kompania i kaloi babait të tyre, Agur Çilotaj.

Dy vjet më vonë, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit,  kompania regjistrohet sërish nën emrin e Shpëtim Çilotajt kur ky i fundit sapo ishte liruar nga akuzat. Në të njëjtin vit u themelua edhe kompania “Ladi 2008” me aksioner të vetëm Vladimir Çilotajn.

“Samuel International” e krijuar në vitin 2009 është një  tjetër kompani e zotëruar nga familja. Kompania, e cila operon në fushën e ndërtimit rezulton nën pronësinë e  Ebru Bakir Çilotaj, bashkëshortja turke e Shpëtimit.

Në vitin 2012, vëllezërit  vendosin t’i përkushtohen përpunimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj. Në këtë periudhë, policia arrestoi dhe gjykata e shpalli fajtor Vladimir Çilotajn për vjedhje të naftës në depozitat e Albpetrolit .

Kompania “Ylli Petrol” e familjes zotërohet në 50 për qind të aksioneve nga vajza e Vladimirit, Jonida Çilotaj. Në vitin 2015, ajo krijon një kompani tjetër që merret me drejtimin e bar-restoranteve dhe që ka në pronësinë e saj kompleksin “Apollon” në Fier.

Sipas Prokurorisë së Fierit, pasuria e familjes Çilotaj përbëhej nga rreth 100 apartamente dhe njësi biznesi në Tiranë, Vlorë, Durrës dhe  Sarandë, sipërfaqe të konsiderueshme tokash dhe një flotë mjetesh motorike. Këto prona janë vendosur nën sekuestro preventive në kuadër të procedimit penal nr.258  të vitit 2010, që Prokuroria  e Fierit ngriti në ngarkim Agur, Shpëtim dhe  Vladimir Çilotajt.

Për efekt të hetimeve, prokurori i çështjes në Fier nuk specifikoi detaje të tjera, ndërsa mësohet se pronat janë blerë kryesisht në emër të babait dhe mbesës së tyre. Për këtë arsye,  gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “moslejimin e ushtrimit të aktiviteteve tregtare” për Agur Çilotajt dhe mbesën e tij, Jonida.

BIRN e pati të pamundur të kontaktonte me vëllezërit Çilotaj. Avokatja e tyre, Megi Zonja tha se klientët e saj nuk e kanë kryer veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale”, për të cilën i akuzon Prokuroria.

“Ajo perandori për të cilën flitet ka të bëjë me shuma marramendëse hua që familja ka në bankat e nivelit të dytë,” tha Zonja për BIRN. Ajo shtoi gjithashtu se një pjesë e mirë e pronave të patundshme janë vendosur si kolateral në bankat e nivelit të dytë dhe po të verifikohen, janë në emër të bankave.

Ndryshe nga avokatja, Prokuroria dyshon se marrja e kredisë është një manovër e përdorur nga vëllezërit Çilotaj për të maskuar burimin e vërtetë të pasurisë së tyre.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë