/ATSH-AFP/ - NATO dhe Bashkimi Evropian, përballur me një Rusi të gjykuar shumë agresive dhe kërcënimin xhihadist, kërkojnë të përmirësojnë bashkëpunimin e tyre, veçanërisht për të kundërshtuar "luftën hibride", njoftuan sot dy krerët.
"Lufta hibride kombinon kërcënime të tipeve të ndryshme duke përfshirë këtu konvencionale, terroriste dhe sulme kibernetike", theksoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, në përfundim të një takimi ministerial në Antalia.
NATO akuzon Rusinë se po përdor taktika hibride për të destabilizuar Ukrainën duke kombinuar mjetet ushtarake klasike me veprimet shumë të fshehta në fushën civile, si sulmet kibernetike, propaganda dhe desinformimi, tensionimi i minoriteteve, shkëputjet e gazit dhe masat ekonomike.
Por, ky koncept mund të përdoret gjithashtu për të përshkruar aktivitetet e grupit xhihadist të Shtetit Islamik në Irak, në Siri dhe në rrjetet sociale.
"Ajo që është shumë e rëndësishme për ne, është një koordinim i fortë në të gjitha nivelet dhe veçanërisht përsa i përket shpërndarjes së informacioneve për kërcënimet e reja me të cilat po përballemi", theksoi përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ftuar në këtë takim minesterial.
BE dhe NATO kanë 22 anëtarë të përbashkët.

"Ne u kemi kërkuar ekipeve tona të rrisin bashkëpunimin NATO-BE kundër luftës hibride me qëllim që të garantojmë se strategjitë që ne do të ndërmarrim të jenë dobishme që ne të mund të reagojmë shpejt dhe në mënyrë efikase nëse një kërcënim për luftë hibride shfaqet kundër një prej anëtarëve tanë", theksoi Stoltenberg.
"Në lindje të NATO-s, ne kemi një Ruusi më agresive që përdor forcën për të modifikuar kufijtë dhe për të frikësuar fqinjët. Në jug, trazirat dhe ekstremizmi i dhunshëm kanë arritur nivele që nuk janë parë kurrë në kohët moderne", theksoi ai.