Përballja me Vllazninë, Gvozdenovic kërkon fitoren e parë sezonale: Skënderbeu është gati

Përballja me Vllazninë, Gvozdenovic kërkon fitoren e parë sezonale: Skënderbeu është gati

Ivan Gvozdenovic, trajneri i Skënderbeut

KORÇË - Skënderbeu dhe Vllaznia luajnë këtë të shtunë në orën 20:00 për raundin e tretë të Superligës. Korçarët kërkojnë tri pikët e para për këtë sezon, teksa në shtëpi presin shkodranët e Brdaric.

Pas një barazimi dhe një humbjeje, trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenovic për mediet tha se ekipi i tij është gati për tri pikët e para.  

Ivan, pas dy javëve të para, fitorja kthehet në detyrim për korçarët në këtë ndeshje?

Po, keni të drejtë. Dy javët e para nuk kemi mundur të marrim maksimumin dhe atë që ne kemi pasur si objektivi në këto ndeshje. Në të tilla kushte kjo do të jetë ndeshja jonë e kthesës dhe për këtë duhet që të djersinim shumë dhe të japim më të mirën tonë. Tifozët gjithmonë kërkojnë maksimumin, por edhe ne duhet që të reflektojmë për dy ndeshjet e para dhe këtë gjë është e mira që ta bëjmë në fushë.

Sa e vështirë do të jetë ndeshja kundër Vllaznisë?

Kundër Vllaznisë gjithmonë është një ndeshje e vështirë, pasi është një ekip me traditë dhe ka dhënë shumë për futbollin shqiptar. Sigurisht që do të jetë delikate ashtu siç janë të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit. Në këtë kampionat nuk ka ndeshje të vështira dhe të thjeshta, janë të gjitha shumë të vështira dhe duhet që të bëjmë kujdes maksimal.

Si vjen Skënderbeu në këtë ndeshje?

Jemi mirë dhe për fat nuk kemi asnjë problem dhe të gjithë lojtarët i kemi në dispozicion, përveç mungesës së Rabiut, i cili u ndëshkua me karton të kuq kundër Partizanit. Sigurisht që do të bëjmë zgjedhjet tona duke u treguar të kujdesshëm dhe të mbajmë linjën tonë të lojës. Kjo është shumë e rëndësishme.

Një pikë në dy javë, a janë pak për ju?

Patjetër dhe kjo nuk ka diskutim. Nëse flasim në raport pikësh mund të them se nuk kemi bërë mirë dhe për këtë jemi të gjithë vetëdijshëm dhe të vetëdijshëm. Por nëse shohim lojën, na ngroh e na jep besim. Si kundër Elbasanit, edhe ndaj Partizanit kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira dhe ndoshta meritonim më shumë si në njërën ndeshje edhe te tjetra pavarësisht se ishim edhe me 10 lojtarë për disa minuta.

Merkatoja, në 24 orë nga fundi, a është e mbyllur?

Unë mendoj se kemi lëvizur mirë në merkato dhe nuk ka asnjë diskutim. Presim të bashkohet sulmuesi i ri që do të vijë sot në Korçë dhe presim mbylljen e marrëveshjes me një uinger. Nëse realizohen këto atëherë jam i bindur se do të jemi të kompletuar. Ka qenë një merkato që unë e vlerësoj dhe kemi punuar me kujdes për të bërë zgjedhjet e duhura.

A është një plus për ju rikthimi i Randit?

Randi është një futbollist që ka qenë prej vitesh titullar dhe dihet që është i rëndësishëm. Për fat të keq për atë nuk arriti të mbyllte me sukses një kontratë të re në një klub tjetër. Për të është keq, pasi do të ishte një mundësi shumë e mirë. Ndërsa për ne është pozitiv që Randi qëndroi në Korçë dhe do të na ndihmojë shumë edhe këtë sezon.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar