TIRANË- Pas “kërcënimeve” të forta të ish liderit Sali Berisha se do të rivendosë sovranitetin e PD dhe shumë shpejt do të nisë një aksion në çdo degë, kryedemokrati Lulzim Basha mblodhi në seli krerët e degëve të PD në rrethe.

Në 1 orë e 40 minuta në mbledhjen me dyer të mbyllura, Basha  është përpjekur të mbajë nën kontroll partinë duke renditur arsyet e vendimit të tij personal për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar pas kërkesës së SHBA pas shpalljes ‘Non Grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit. 

Basha ka sqaruar se nuk diskutoi me kryesinë dhe grupin parlamentar vendimin për përjashtimin e Berishës, për shkak se ka dashur që përgjegjësinë ta mbante vetë.

"Nuk e kam diskutuar me kryesine dhe grupin parlamentar sepse kam dashur ta mbaj vetë përgjegjësinë", është shprehur Basha.

Gjatë mbledhjes, mësohet se Basha nuk ka hasur në kundërshtinë e krerëve të degëve për vendimin e tij, të cilët vetëm kanë dëgjuar sqarimet e Bashës.

Për kryetarin e degës së Durrësit, Ferdinand Xhaferri, vendimi i kryedemokratit për përjashtimin nga grupi parlamentar të PD-së të Sali Berishës, ishte i duhuri.

Është vendimi më i vështirë i kësaj parti. Çfarëdo lloj vendimi do të kishte kostot e veta. Vendimi u mor në limite kohore. Është një nga vendimet që merr parasysh eliminimin e kostove afatgjata të Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë”, tha ai.

Një tjetër temë e diskutuar, ishte edhe objektivat që do të ndjek partia demokratike në këtë sesion të ri politik , ku tashmë Partia Demokratike është kthyer edhe në parlament.

1 ditë përpara se të niste sesioni i ri parlamentar, lideri i partisë demokratike Lulzim Basha deklaroi  vendimin e tij, se Partia Demokratike e përjashtonte  Sali Berishën nga grupi i saj parlamentar. Pas këtij vendimi, ka nisur një përplasje e ashpër në distancë ndërmjet demokratëve. Gjithçka nisi pas vendimit të departamentit Amerikan të Shteti për të shpallur ish-liderin demokrat Sali Berisha “Non Grata”.Presioni në selinë blu është rritur ndjeshëm pas  një takimi kokë më kokë në selinë e Partisë Demokratike të ambasadores së  SHBA Yuri Kim, e cila i kërkoi Lulzim Bashës të distancohet nga Berisha.