'Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në mjekësi po redukton gabimin njerëzor, por nuk do ta zëvendësojë asnjëherë personelin mjekësor'

'Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në mjekësi po redukton gabimin njerëzor, por nuk do ta zëvendësojë asnjëherë personelin mjekësor'

Dr. Vasil Llajo

Flet titullari i rrjetit të laboratorëve “Intermedica”, Dr. Vasil Llajo.

Inteligjenca Artificialë po njeh përdorim të gjerë edhe në mjekësi. Dr. Vasil Llajo tha se përdorimi i IA në rrjetin e laboratorëve “Intermedica” është shtrirë nga diagnoza imazherike dhe detektimi i hershëm i sëmundjeve, ku IA analizon të dhënat e pacientëve dhe faktorët e riskut për sëmundje konkrete, deri te përpunimi i të dhënave te një numër i lartë i pacientëve shqiptarë.

Përdorimi i IA në fushën e mjekësisë po ndihmon në pakësimin e gabimit njerëzor dhe rritjen e efikasitetit në laboratorët privatë. Pavarësisht përdorimit të gjerë të Inteligjencës Artificiale dhe ChatGPT në mjekësi, z. Llajo thotë se në këtë sektor, asnjëherë nuk do të ndodhë që personeli mjekësor të zëvendësohet nga robotë apo elemente të tjera inteligjente.

Si po përdoret nga rrjeti i laboratorëve “Intermedica”, Inteligjenca Artificiale dhe si ndihmon në diagnozën e sëmundjeve?

Inteligjenca Artificiale (IA) ka sjellë revolucion në të gjitha fushat e teknologjisë, bioteknologjisë, përjashtim nuk bën as fusha mjekësore. Vitet e fundit, IA është kthyer në një vegël të fuqishme për diagnozën mjekësore dhe në aplikimet laboratorike, duke ofruar shpejtësi, saktësi dhe rezultate të paprecendenta ose të pahasura më parë.

Flitet shumë për IA në vitet e fundit, por historiku i saj është shumë më i vjetër. Ajo fillon që në antikitet, me filozofin e famshëm grek Aristoteli, i cili ishte i pari që përshkroi logjikën “si një mënyrë kodifikimi të mendimit të drejtë, nëpërmjet rregullave që përshkruajnë procedurën e këtij mendimi, duke arritur në ditët e sotme te Marvin Minsky, i cili pranohet nga të gjithë, si babai i Inteligjencës Artificiale.

Së bashku me Dean Edmonds ndërtuan rrjetin e parë neuronik, duke marrë si model neuronin njerëzor të sistemit nervor.

Diagnoza në bazë të imazhit. Algoritmet e IA mund të analizojnë imazhet mjekësore të marra, si për shembull në grafitë rrezet X, ekzaminimet e skanerit, rezonancës magnetike për të detektuar dhe për të lokalizuar anomali dhe patologji, duke ndihmuar radiologët për të dhënë diagnoza sa më ekzakte.

Algoritmet e “mësimit të thellë” mund të mësojnë modele dhe karakteristika nga sasi gjigante të dhënash imazherike, duke ndihmuar në detektimin dhe lokalizimin e automatizuar të tumoreve, frakturave, anomalive të ndryshme, etj.

Një fushë që “Intermedica” e lëvron me shumë sukses në praktikën e saj të përditshme, në diagnostikimin imazherik është përdorimi i sistemit PACS (Picture Archiving and Communication System) duke bërë të mundur transmetimin e imazheve të stokuara, të ruajtura dhe informacionet korelative në të gjithë rrjetin “Intermedica” me përdorimin e algoritmeve moderne të IA dhe metodave së “auto-routing”, pre-fetching, streaming, push technology”, etj. Nëpërmjet sistemit PACS, imazhet e marra mund të dërgohen kudo, në të gjithë botën, aty ku mund të bëhet interpretimi ekzakt.

Gjithashtu “Intermedica” përdor sistemin e transmetimit real-time me ndihmën e aplikacionit i-cloud si pjesë e IA.

Kjo do të thotë që ekzaminimi imazherik mund të kryhet në Sarandë, Gjirokastër, Durrës, Kavajë, etj., kudo ku ka qendra imazherike të “Intermedica” dhe imazhet të shfaqen në të njëjtën kohë në kompjuterin ose telefonin e mjekut radiolog në Tiranë ose kudo ai ndodhet, për një mendim dhe interpretim selektiv.

Gjithashtu përdorimi i injektimit të kontrastit intravenoz në mënyrë automatike në ekzaminimin skanerik bazohet në informacionet që merr nga kompjuteri i skanerit, sisteme dhe programe si pjesë e IA-së.

Detektimi i hershëm i sëmundjeve. Diagnoza e hershme ka rëndësi vitale për terapinë rezultative të sëmundjeve të ndryshme.

Sistemet që mbështeten tek IA mund të analizojnë të dhëna të pacientëve, duke përfshirë arkiva elektronike të shëndetit, informacione gjenetike dhe të bioindekseve për të lokalizuar modele dhe faktorë risku që lidhen me sëmundje konkrete.

Ajo u lejon mjekëve të parashikojnë dhe të diagnostikojnë sëmundje në stadet e hershme, duke sjellë përmirësimin e saktësisë së rezultateve për pacientët.

IA përdoret edhe në laboratorët mjekësorë diagnostikues për optimizimin e flukseve të procedurave laboratorike. Laboratorët përpunojnë një volum gjigant të dhënash dhe mostrash, të cilat mund të konsumojnë shumë kohë dhe të jenë të prirë për gabime.

Sistemet IA mund të automatizojnë procedurat rutinë të punës, si për shembull ndarja e mostrave (screening), analizimi i të dhënave dhe kontrolli i cilësisë.

Këto jo vetëm që reduktojnë gabimin njerëzor, por edhe rrisin efikasitetin, duke lejuar personelin e laboratorit të përdorë procedura më komplekse. “Intermedica” është laboratori i parë që ka vendosur sistemin PSM dhe LIS prej shumë vitesh.

Vendosja e sistemit robotik të analizimit të mostrave dhe të përpunimit të rezultateve janë një element tjetër IA-së, por ajo që bën të veçantën në laboratorin Intermedica dhe e bën atë të vetmin që e përdor sot në Shqipëri është vendosja dhe aplikimi i teknologjisë së biochipseve në diagnozën selektive të personalizuar, mbi këtë bazohet edhe mjekimi i personalizuar.

Kjo arritje është fryt i bashkëpunimit me kompaninë gjermane BOSCH në prodhimin e chipsave dhe të kompanisë angleze RANDOX, në markimin e tyre me bio elemente dhe bioteknologji.

Këtu kemi aplikimin e “BIOCHIP ARRAY TECHNOLOGY” si “SMART-Intelligent Technology”, me përdorimin e testeve MULTIPLEX, rezultatet e të cilave lexohen nga një “CD-Camera dhe “Custom Image-processing software”, të cilat janë aplikim i IA.

Gjithashtu mjaft efikas është përdorimi i atlaseve dhe albumeve të tumoreve, të sëmundjeve patologjike të gjakut aty ku shkohet më larg dhe më thellë se syri i mjekut.

Të gjitha filialet “Intermedica” janë të lidhura me njëra-tjetrën me sistemin e menaxhimit të kontrollit, aplikues të kontrollit të cilësisë dhe analizues me një program të tillë, si pjesë e aplikacionit të IA-së, ku është e mundur që të shikohet në real time-online të gjitha sistemet kompjuterike të analizatorëve.

Pra në të njëjtën kohë, aplikuesi mund të shikojë të gjithë kompjuterët e analizatorëve kudo që ata ndodhen, si në qytetin e Tiranës, apo në çdo qytet tjetër të Republikës së Shqipërisë, ku janë të instaluara.

Si shërben në fushën e mjekësisë përdorimi i Inteligjencës Artificiale në analizimin e të dhënave?

Algoritmet e IA mund të analizojnë volume të dhënash, produkt i laboratorëve diagnostikues për lokalizimin e tendencave dhe modeleve.

Konkretisht, “Intermedica” me ndihmën e IA-së paraqiti në Kongresin Botëror të Mjekësisë Laboratorike “WorldLab & EuroMedLab” të mbajtur në maj të vitit 2023 në Romë dy punime me volum gjigant të dhënash, ku njëri prej tyre ishte mbi 90,000 pacientë dhe tjetri, mbi 50,000 të tjerë.

Këto informacione mund të shfrytëzohen për parashikimin e prevalencës të pacientëve për optimizmin e protokolleve testues dhe zhvillimin e skemave të terapisë së personalizuar.

Analizimi prognostik në qendrat diagnostikuese mund të përmirësojë rezultatet e pacientëve, të reduktojë kostot dhe të përmirësojë menaxhimin e shëndetit të popullatës.

IA po transformon sektorin mjekësor dhe diagnostikues, duke ofruar shanse të mëdha për përmirësimin e diagnozës dhe trajtimin terapeutik. Me vlerë është të shënohet që po ndihmon në diagnozën e hershme dhe terapinë e personalizuar.

Gjithashtu ka vlerë të theksohet se përfshirja dhe përdorimi në masë i robotëve kirurgjikalë u bazua realisht në IA, algoritmet dhe përpunimi në fraksionet e sekondës i të dhënave që merr në kohën gjatë operacionit.

Konkretisht, në ortopedinë e rikonstruksionit të artikulacionit të gjurit me protezim, kompania “Smith & Nephew” përdor me shumë sukses sistemin robotik të teknologjisë “SMART 3D” pa ndihmën e CT/MRI me real time planning për kirurgji të personalizuar.

Fushë mjaft e rëndësishme e aplikimit të IA është edhe diabeti, sëmundja e sheqerit me fenomenin social gërryes që me ndihmën e algoritmeve të IA mund të parashikohet, parandalohet ose trajtohet në mënyrë të personalizuar me teknologjinë e implementimit të matëseve të nivelit të glicemisë me chips-e në krahun e pacientit dhe leximin e rezultatit me aplikacionin ne celular.

Sipas jush, si pritet të ndikojë në shëndetësi përdorimi i IA, cilat janë sfidat e përdorimit të tij?

Ndër sfidat kryesore në përdorimin e Inteligjencës Artificiale mbeten privatësia dhe sigurimi i të dhënave, pasi shfrytëzimi i IA në mjekësi ka si pasojë përdorimin e të dhënave personale të ndjeshme të pacientit.

Garantimi i privatësisë dhe sigurimi i informacionit të të dhënave të pacientit është me rëndësi jetësore për sigurimin e besimit të tij dhe pajtueshmërinë me modelet rregullatore.

Duhet të zbatohen masa të rrepta për mbrojtjen e të dhënave personale, si kriptologjia dhe kontrolli në aksesin që mund të kenë për mbrojtjen e të dhënave personale të pacientit nga persona të paautorizuara.

Algoritmet e IA janë mjaft të besueshme sot dhe të dhënat në të cilat specializohen. Paragjykimet që mund të lindin nga të dhënat trajnuese, specializuese mund të çojnë në parashikime tendencioze, duke ndikuar në mënyrë jo analoge, korrekte te grupe pacientësh.

Gjithashtu duhet të merren në konsideratë me seriozitet interpretimi dhe transparenca e të dhënave dhe duhet të shmanget interpretimi negativ i IA në tregun e punës, me zëvendësimin e personelit me robotë apo elementet inteligjente, sidomos në mjekësi.

Mjaft serioze është edhe varësia e krijuar nga aplikimet e IA që shohim shpesh në rrjetet sociale.

Çështja është ndalimi apo kufizimi i tyre, apo kufizimi i lirisë individuale. Thelbi është respektimi i lirisë individuale, duke lejuar njerëzit të jenë të lirë të përdorin aplikacione, por me kusht që të respektohet informimi i duhur mbi efektet negative dhe aplikimi në mënyrë të vullnetshme.

Në fushën e mjekësisë nuk duhet të na mbulojë fobia apo pesimizmi dhe keqinterpretimi se robotët dhe IA do të zëvendësojnë mjekët dhe personelin tjetër mjekësor.

Nuk mund të ndodhë për arsyet e thjeshta: IA është krijim i inteligjencës njerëzore; Qenia humane është qenie shoqërore dhe jo krijesë e teknologjisë.

Mendimi, koshienca, gjykimi, vetëgjykimi, veprimi korrelativ social janë pronë ekskluzive e subkoshiencës gri, janë produkt ekskluziv human, njerëzor dhe ky produkt do të jetë gjithmonë një hap përpara se IA.

Po ChatGPT si përdoret në shëndetësi? A mund ta zëvendësojë njeriun përdorimi i tij?

ChatGPT (Generative Pre-Trained Transformer) është një aplikacion i Inteligjencës Artificiale që lejon dialogimin, dhënien e përgjigjeve (chatbot), e cila qarkullon nga Open AI në nëntor 2022.

ChatGPT është specializuar në një korpus gjigant të dhënash dhe mund të zbatojë një larmi përpunimesh të gjuhës natyrale, si përgjigjet në pyetjet e ndryshme, përkthime, përmbledhje tekstesh, etj.

Përdorimi i ChatGPT-së ka vlerësimet e veta pozitive dhe negative. Në dhjetor të 2022 u bë subjekt i vlerësimeve pozitive në “New York Times”, ku e karakterizoi si “chatbot-i më i mirë i Inteligjencës Artificiale që ka qarkulluar ndonjëherë në publikun e gjerë”.

ChatGPT në një temë teze të një nxënësi dha konceptin se teksti i tij ishte në të njëjtin nivel me atë të një nxënësi të mirë dhe u shpreh se “bota akademike” ka mjaft probleme serioze për të përballuar.

Ndërsa te reagimet negative janë mjaft artikuj që mbajnë qëndrimin ndaj ChatGPT, duke e konsideruar si një mjet që ndikon në njohuritë profesionale dhe si rezultat, në vlerësimin e aftësive të personelit. Disa të tjerë, si James Vincent, “The Verge”, e quan mainstream madje e quan papagall të zhytur në mendim.

Problemi dhe rreziku kryesor i ChatGPT është sulmi elektronik (kibernetik) në sitet qeveritare, pasi është në gjendje të shkruajë mesazhe elektronike siç quhen “peshkuese ose keqdashëse”.

Probleme mund të vërehen në sistemin arsimor, në kulturë, shkencë, etj. me të drejtën e autorit. Pavarësisht nga këto reagime negative, ChatGPT si pjesë dhe produkt e IA është revolucion teknologjik dhe e çon të ardhmen përpara.

Nuk duhet të kemi frikë, sepse siç e përmenda edhe më lart, IA nuk e zëvendëson logjikën dhe arsyetimin njerëzor, nuk ka mendim kritik dhe as vlerësim dhe përdorim autokritike apo të vetënjohjes.

ChatGPT nuk ka gjithmonë të drejtë dhe nuk ka subkoshiencë morali. IA ka sjellë revolucion dhe ka hedhur hapa gjigantë në teknologjinë për diagnozën mjekë.

SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi