Franca po kërkon rregulla shumë më të forta për mbrojtjen e fëmijëve në internet dhe përdorimin e rrjeteve sociale, ndërsa Amerika dhe Britania e Madhe po kërkojnë formulime më të buta në deklaratën e përbashkët të G7-ës për teknologjinë.

Sipas POLITICO, diskutimet mes vendeve të G7-ës janë zgjatur edhe këtë javë, pasi palët nuk po bien dakord mbi mënyrën se si duhet të trajtohet siguria e fëmijëve online. Ministrat digjitalë të vendeve të G7-ës do të mblidhen të premten në Paris, ku pritet të prezantohet një deklaratë e përbashkët mbi politikat teknologjike.

Franca kishte paralajmëruar që në prill se gjatë presidencës së saj të G7-ës do të shtynte krijimin e një “kuadri të përbashkët mbrojtjeje” për fëmijët në internet. Por sipas një zyrtari francez, SHBA dhe Britania po kërkojnë të zbusin angazhimet për sigurinë online dhe mbrojtjen e të miturve.

Edhe përfaqësues të industrisë që kanë dijeni për negociatat thanë se mosmarrëveshjet kryesore lidhen pikërisht me çështjen e mbrojtjes së fëmijëve në rrjetet sociale. Një zëdhënës i ministrisë franceze për çështjet digjitale tha se diskutimet do të vazhdojnë deri në momentin e fundit dhe se presidenca franceze e G7 zgjat deri në dhjetor.

Ndërkohë, administrata Trump deklaroi se kompanitë teknologjike duhet të marrin masa për mbrojtjen e fëmijëve, por duke ruajtur edhe rolin e prindërve në kontrollin e eksperiencës online të tyre.

Britania nuk komentoi publikisht negociatat. Franca mbetet një nga vendet më agresive në Europë për kufizimin e aksesit të fëmijëve në rrjetet sociale.

Në janar, qeveria franceze prezantoi një projektligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç dhe synon ta fusë në fuqi nga shtatori. Edhe Britania po shqyrton mundësinë e ndalimit të rrjeteve sociale për të miturit nën 16 vjeç, si pjesë e një konsultimi mbi ndikimin e internetit në shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve.