Peres falenderon Berishën
për miqësinë ndaj hebrejve

Peres falenderon Berishën<br />për miqësinë ndaj hebrejve
TIRANE-  Kryeministri Berisha nis vizitën zyrtare në Izrael me pritjen e presidentit të Izraelit. Shimon Peres e cilësoi vizitën e Berishës një kontribut tjetër për zgjerimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

“Peres vlerësoi si shembull modelin e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare që ekziston në Shqipëri, e veçanërisht, për ndjenjat miqësore ndaj popullit hebre. Ai i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen e kombit dhe shtetit të tij për qëndrimin e qeverisë shqiptare në favor të paqes e sigurisë në këtë rajon.”- raporton zyra e shtypit e kryeministrisë.

Në takim u rikonfirmua vullneti i të dy vendeve dhe qeverive për nxitjen e investimeve të ndërsjella, në dobi të interesit më të mirë të të dy vendeve dhe prosperitetit të të dy popujve. Kryeministri Berisha dhe Presidenti Peres diskutuan, gjithashtu, edhe për zhvillimet në rajon. Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin Peres të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u prit me kënaqësi.

TAKIMET
Kryeministri Berisha u nis dje, për një vizitë zyrtare treditore në Izrael, me ftesë të Kryeministrit Benjamin Netanyahu, bën të ditur në një komunikatë zyra e shtypit e kryeministrit. Kjo vizitë do të kontribuojë për çuarjen përpara të marrëdhënieve bilaterale si dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Kryeministri do të ketë bisedime me autoritetet më të larta në Jerusalem, si dhe takime me komunitetin e biznesit izraelit, në Tel Aviv. Delegacionin e Kryeministrit Berisha e shoqëron edhe një grup përfaqësuesish të biznesit shqiptar dhe medias.

Kryeministri Berisha do të takohet me Kryeministrin Netanyahu, takim i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp. Takime të veçanta Kryeministri Berisha do të ketë me dhe Kryetarin e Knesset (Parlamentit) Reuven Rivlin, Zëvendëskryeministrin Dan Meridor, ministrin e Jashtëm Avigdor Lieberman dhe ministrin e Infrastrukturës Uzi Landau.
Kryeministri do të zhvillojë një vizitë edhe në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë, ku do të mbajë një fjalë me temë “ Të drejtët mes kombeve - Historia e miqësisë së Shqipërisë me hebrenjtë dhe shtetin hebre”.

Në ditën e tretë të vizitës, Kryeministri Berisha do të zhvendoset në Tel Aviv, ku do të përshëndesë punimet e Forumit Ekonomik Shqipëri-Izrael, i cili i jep një mundësi shumë të mirë për t’i prezantuar biznesit izraelit zhvillimet ekonomike të Shqipërisë dhe potencialet e saj të mëdha për investime, si dhe për të nxitur bashkëpunimin midis sipërmarrjes izraelite dhe asaj shqiptare. Kryeministri do të takohet gjithashtu, me përfaqësues të kompanive izraelite.
Një moment i veçantë i vizitës për Kryeministrin do të jetë edhe ceremonia e dhënies së titullit “Anëtar nderi”, nga Shoqata Shqiptaro-Hebraike, thote zyra e kryeministrit.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Azgan Haklaj: Sali Berisha nuk është kryetar i PDSH-së

Azgan Haklaj: Sali Berisha nuk është kryetar i PDSH-së