Një ushtar i forcave speciale të SHBA-ve, i përfshirë në operacionin ushtarak që çoi në kapjen e Nicolas Maduros, është arrestuar pasi dyshohet se ka vënë baste mbi rrëzimin e ish-udhëheqësit të Venezuelës përpara se informacioni të bëhej publik.
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve (DOJ) ka ngritur akuza ndaj Gannon Ken Van Dyke, pasi ai dyshohet se ka kryer transaksione në Polymarket, një platformë që funksionon përmes kriptomonedhave, duke u mbështetur në informacion të klasifikuar.
“Ky është qartësisht tregtim me informacion të brendshëm dhe është i paligjshëm sipas ligjit federal,” thanë zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë.
Van Dyke, pjesëtar i Ushtrisë Amerikane i emëruar në Fort Bragg në Karolinën e Veriut, fitoi më shumë se 409,000 dollarë si rezultat i basteve të tij.
Forcat amerikane kapën Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, nga rezidenca e tyre në Karakas gjatë operacionit të natës së 3 janarit dhe i dërguan në New York për t’u përballur me akuza për armë dhe drogë, të cilat ata i mohojnë.
Van Dyke dyshohet se ka vendosur baste mbi kohën dhe rezultatin e operacionit, i njohur si “Operation Absolute Resolve”, “vetëm për të nxjerrë fitim”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Drejtësisë të publikuar të enjten.
DOJ pretendon se rreth datës 26 dhjetor 2025, Van Dyke krijoi një llogari në Polymarket dhe filloi të vinte baste në tregje që lidhen me Maduron dhe Venezuelën. Ai akuzohet se ka vendosur baste mbi 33,000 dollarë ndërsa kishte në dispozicion informacion të klasifikuar dhe jo publik mbi operacionin.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale të enjten, Polymarket tha: “Kur identifikuam një përdorues që vinte baste duke përdorur informacion të klasifikuar qeveritar, e referuam çështjen tek DOJ dhe bashkëpunuam me hetimin e tyre.”
Kompania shtoi: “Tregtimi me informacion të brendshëm nuk ka vend në Polymarket. Arrestimi i sotëm është provë se sistemi funksionon.”
Sipas aktakuzës së publikuar të enjten, Van Dyke është akuzuar për përdorim të paligjshëm të informacionit konfidencial qeveritar për përfitim personal, vjedhje të informacionit jo publik qeveritar, mashtrim në tregtinë e mallrave, mashtrim elektronik dhe kryerje të një transaksioni monetar të paligjshëm.
“Burrave dhe grave tona në uniformë u besohet informacion i klasifikuar për të përmbushur misionin e tyre në mënyrë sa më të sigurt dhe efektive, dhe u ndalohet ta përdorin këtë informacion shumë të ndjeshëm për përfitime financiare personale,” tha Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i SHBA-ve, Todd Blanche. “Aksesi i gjerë në tregjet e parashikimit është një fenomen relativisht i ri, por ligjet federale që mbrojnë informacionin e sigurisë kombëtare zbatohen plotësisht.”
Prokurori amerikan Jay Clayton për Distriktin Jugor të New Yorkut, ku do të zhvillohet çështja, shtoi se tregjet e basteve “nuk janë një strehë për përdorimin e informacionit të përvetësuar konfidencial ose të klasifikuar për përfitim personal”.
Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thanë se si ushtar, Van Dyke kishte nënshkruar marrëveshje besimi, në të cilat premtonte se “kurrë nuk do të zbulojë, publikojë apo nxjerrë në pah me shkrim, fjalë, veprime apo në çfarëdo mënyre tjetër… asnjë informacion të klasifikuar ose të ndjeshëm” që lidhet me operacionet ushtarake.
Prokurorët federalë pretendojnë se nga 8 dhjetori 2025 deri të paktën më 6 janar 2026, Van Dyke ishte i përfshirë në planifikimin dhe zbatimin e “Operation Absolute Resolve” dhe kishte akses në informacion të ndjeshëm, jo publik dhe të klasifikuar për atë operacion.
Komisioni për Tregtinë e Kontratave të së Ardhmes (CFTC), një agjenci federale e pavarur amerikane, tha se ka paraqitur gjithashtu një padi kundër Van Dyke, duke e akuzuar për tregtim me informacion të brendshëm.
I pyetur për bastet e dyshuara gjatë një aktiviteti të së enjtes, Presidenti i SHBA-ve Donald Trump tha se nuk kishte dëgjuar për këtë çështje, por do ta shqyrtonte.
Kur u pyet për shqetësimet se tregjet e basteve mund të çojnë në tregtim me informacion të brendshëm, presidenti tha se “nuk është i kënaqur me gjëra të tilla”.
“E gjithë bota, fatkeqësisht, është bërë disi si një kazino… dhe në gjithë botën, në Evropë dhe kudo, po bëhen këto lloj bastesh,” tha ai. “Unë nuk kam qenë kurrë shumë në favor të tyre.”
Komente










