LUSHNJE- Flakët e zjarrit kanë përfshirë dhjetëra hektare ullishte, drufrutore dhe shkurre në kodrat e Vainit dhe të Kasharajt në kurorën e gjelbërt të qytetit të Lushnjes.
Zjarri i ndihmuar dhe nga era e fortë është përhapur me shpejtësi në të gjithë masivin e ullishteve këtë pasdite.
Zjarrfikëset e kanë të pamundur që të arrijnë vatrat e zjarrit për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së rrugëve.
Banorët e zonës u kanë shkuar për ndihmë punonjësve e zjarrfikëses dhe me mjete rrethanore janë përpjekur që të minimizojnë dëmet apo dhe të izolojnë zjarrin.
Shkaqet e rënies së zjarrit ende nuk janë zyrtarizuar, por mendohet se kanë qenë aksidentale. Vatrat e zjarrit janë ende aktive.