Pesë banesa janë përfshirë nga flakët këtë mbrëmje në qytetin e Burrelit.

Fillimisht zjarri ka rënë në banesën e Sokol Skilës, e cila është shkrumbuar, por flakët janë përhapur edhe duke djegur pjesërisht edhe katër shtëpi të tjera, dy prej të cilave në pronësi të Fatmir Bushatit dhe të Eltion Pjetrit

"Mbrëmjen e sotme, në qytetin e Burrelit, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit S.S.  Si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit  janë përfshirë nga zjarri dhe janë djegur pjesërisht dhe 4 banesa të tjera që janë ngjitur me banesën e shtetasit S.S., banesa private me çati të përbashkët", njofton policia.

Shërbimet e Policisë kanë evakuuar banorët nga banesat që u përfshinë nga zjarri dhe fatmirësisht nuk raportohet për asnjë banor të lënduar. Zjarrfikësit kanë bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit. 

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

1705092495_e6b87c95341e43fa9a255d7bd2065deb.jpg