Një automjet është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në qytetin e Lezhës.

Sipas informacioneve paraprake, makina ndodhej e parkuar brenda oborrit të Dioqezës së Lezhës dhe prej rreth një jave nuk ishte në përdorim. Fatmirësisht, në momentin e shpërthimit të flakëve nuk ka patur persona brenda automjetit, ndërsa nuk raportohen të lënduar.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve dhe kanë parandaluar përhapjen e zjarrit drejt godinës së Ipeshkvisë së Lezhës.

Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një defekt ose shkëndijë elektrike në automjet, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.