Policia e Kosovës ka dhënë një deklaratë të shkruar pas përfundimit të procesit të votimeve për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Procesi ishte i qetë thotë policia pa ndonjë incident madhor.
Ndërkohë ka nisur hetimi për 6 raste, një prej të cilave ishte sulm ndaj personit zyrtar. Janë shoqëruar 7 persona, 3 prej të cilëve po hetohen në gjendje të lirë.
'Plani operacional i paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve u realizua me sukses në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
![]()
Zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa ndonjë incident madhor që do të kishte penguar/cenuar procesin zgjedhor, andaj vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze.
Një ndër qëllimet e planit operativo policor, ka qenë inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit, sot ka iniciuar gjashtë (6) raste, prej tyre tri (4) raste të natyrës penale nga kapitulli XVIII i KPRK “Veprat Penale Kundër të Drejtave të Votimit“ dhe dy raste penale “Sulm ndaj personit zyrtar & Kanosje“, me ç ‘rast janë shoqëruar shtatë (7) persona të dyshuar, ku me autorizim të prokurorit katër (4) prej tyre janë dërguar në mbajtje, kurse tre (3) janë liruar në procedurë të rregullt, raste këto të cilat nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Po ashtu, janë trajtuar edhe disa raste tjera, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent janë evidentuar si shënime zyrtare.
Vlen të potencohet se Policia e Kosovës ka trajtuar çdo informacion i cili ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, si dhe ka trajtuar edhe raste tjera që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor.
Plani policor vlerësohet se është realizuar me sukses, falë bashkëpunimit ndërinstitucional, falë punës dhe angazhimeve të zyrtarëve policorë si dhe bashkëpunimit dhe kulturës së lartë të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës.'
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet në Kosovë/ Pjesëmarrja në votime mbi 40 për qind, më e ulët se më 2021 dhe 2019! Policia: Procesi ishte i qetë, pa incidente madhore
G.K/Shqiptarja.com
