"Ky nuk është fundi i një përralle. Kjo nuk është një histori nga një libër me figura. Kjo është jeta", shkroi Lindsey Vonn në një postim të gjatë në Instagram nga shtrati i spitalit, një ditë pas rënies së saj të tmerrshme nga lëshimi me ski gjatë Olimpiadës Dimërore 'Milano Cortina 2026', që e la botën në ankth.

Një jetë që mund të jetë e pamëshirshme. Ëndrra e saj olimpike përfundoi kështu, jo me një fund të lumtur, por me një frakturë të ndërlikuar dhe faktin se në skijimin alpin, vetëm pesë centimetra më larg apo më pranë perfektes, janë vendimtare.

"Ëndrra ime olimpike nuk mbaroi ashtu siç e prisja. Guxova të ëndërroja dhe punova shumë për ta bërë realitet. Në skitë alpine, ndryshimi midis një linje strategjike dhe një dëmtimi katastrofik mund të jetë vetëm pesë centimetra", vijoi reagimin e saj kampionia 41-vjeçare.

Këtu gjithçka shembet. "Isha thjesht pesë centimetra shumë më ngushtë në vijën time kur krahu im i djathtë u ngec brenda portës, duke më përdredhur dhe duke shkaktuar rrëzimin tim", tregoi ajo.

Asnjë justifikim, për të shuar thashethemet dhe polemikat rreth vendimit të saj për të skijuar pas dëmtimit në Crans Montana. "Ligamenti im i këputur AC dhe dëmtimet e kaluara nuk kanë të bëjnë fare me aksidentin tim të fundit", 'vulosi' Vonn reagimin e saj.

Më pas skiatorja e SHBA-së tha se do i duhen disa operacione për dëmtimin në gju dhe duket se e ardhmja nuk është premtuese për ta parë atë sërish në pistë.