Në Regjimentin e Operacioneve Speciale (ROS), në Zall Herr u zhvillua ceremonia e përfundimit të kursit "Komando" dhe kursit të "Operatorit të Zbulimit", në praninë e Ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji, drejtuesve të lartë ushtarakë, efektivëve dhe familjarëve të kursantëve.

Aktiviteti nisi me demonstrime operacionale të realizuara nga kursantët dhe efektivët e Regjimentit të Operacioneve Speciale, të cilat pasqyruan aftësitë e fituara gjatë stërvitjes intensive.

Të pranishmit ndoqën skenarë të mbijetesës, ndërtimit të pikës së vrojtimit, operacioneve të zbulimit dhe mbikëqyrjes së objektivave me vlerë të lartë, ndërhyrjes në godinë, përdorimit të sistemeve pa pilot, tërheqjes në fushën e luftimit, njohurive të armatimit dhe luftimit trup më trup.

Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi përgëzoi kursantët për përfundimin me sukses të dy prej kurseve më kërkuese të Forcave të Armatosura, duke e cilësuar këtë moment si kurorëzim të një prove karakteri, profesionalizmi dhe përkushtimi.

"Për muaj me radhë jeni përballur me sfida fizike, psikologjike dhe profesionale, duke dëshmuar se Forcat Speciale ndërtohen mbi disiplinën, vendosmërinë dhe besimin te skuadra. Sot fitoni jo vetëm një kualifikim të merituar, por mbi të gjitha besimin për të qenë pjesë e elitës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", u shpreh ministri Nufi.

Duke u ndalur te zhvillimet e mjedisit të sigurisë, Ministri Nufi theksoi se teknologjia, inteligjenca artificiale, sistemet pa pilot dhe kërcënimet hibride po transformojnë mënyrën e zhvillimit të konflikteve, ndërsa suksesi i një force moderne matet me gatishmërinë, profesionalizmin dhe aftësinë për t'u përshtatur.

"ROS mishëron pikërisht këto cilësi dhe përfaqëson majën e aftësive operacionale të Forcave të Armatosura. Shqipëria është pjesë aktive e transformimit të NATO 3.0 dhe po investon seriozisht për të ndërtuar Forca të Armatosura moderne, të afta të kontribuojnë me dinjitet në mbrojtjen kolektive të Aleancës", deklaroi ai.

Ministri Nufi nënvizoi se rritja e buxhetit të mbrojtjes në 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto është dëshmi e përkushtimit të Qeverisë Shqiptare për forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, ndërsa theksoi se në qendër të këtij transformimi mbeten njerëzit.

"Ne duam të ndërtojmë Forca të Armatosura më moderne, më të afta dhe plotësisht të ndërveprueshme me aleatët tanë. Forca të pajisura me teknologjinë më bashkëkohore, me infrastrukturë moderne dhe, mbi të gjitha, me personel të trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s. Dhe në qendër të këtij transformimi janë njerëzit!", u shpreh Ministri Nufi.

Gjatë ceremonisë u zhvillua betimi i kursantëve "Komando", ceremonia simbolike e vendosjes së Beretave Blu dhe shpërndarja e certifikatave për kursantët e dalluar nga Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Komandanti i Regjimentit të Operacioneve Speciale. 

Pas ceremonisë, Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm zhvilluan një vizitë në shtabin e Regjimentit të Operacioneve Speciale, ku u njohën nga afër me ecurinë e njësisë, misionet, kapacitetet dhe prioritetet e zhvillimit të saj.