Përfundon odiseja tek Unaza e
Re, 6 gratë pranojnë të zbresin

Përfundon odiseja tek Unaza e <br />Re, 6 gratë pranojnë të zbresin
TIRANE-  Ka marrë fund mbrëmjen e sotme odiseja e 6 grave të cilat që prej mëngjesit të djeshëm ndodheshin në tarracën e një pallati tek Unaza e Re. Një agjent policie ndodhej në tarracën në fjalë që prej mëngjesit të sotëm pasi gratë kërcënonin se do të hidheshin poshtë nëse nuk do të gjendej një zgjidhje për konfliktin e pronësisë mes familjeve të tyre dhe ndërtuesit, Namik Pelivani. Policia është përpjekur të bindë gratë të zbresin nga tarraca dhe ndërrmarrjen e rrugës ligjore për zgjidhjen e problemit. Ndërkohë që poshtë pallatit ka pasur momente tensioni mes policisë dhe familjarëve të grave të hipura në tarracë. Disa familjarë janë përplasur me policinë dhe janë shoqëruar në komisariat ndërsa raportohet se gratë kanë pasur probleme shëndetësore, sidomos zonjat Melida Gjoni dhe Ide Rasha.
Edhe deputeti socialist, kreu i PS-se se Tiranes, Sajmir Tahiri këshilloi që gratë të zbresin dhe protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore

MARREVESHJA
Rreth orës 18:00 është njoftuar se 6 gratë kanë arritur një marrëveshje me ndërtuesin e pallatit dhe kanë vendosur të zbresin nga tarraca e pallatit 10 katësh ku ndodheshin që prej mëngjesit të djeshëm. Ato kanë vendosur që të vazhdojnë protestën e tyre në forma të tjera dhe i kanë lënë dy ditë kohë pronarit të objektit për të zbatuar marrëveshjen.

GRATE KALUAN NATEN JASHTE
Kanë kaluar natën jashtë, në tarracën e pallatit në ndërtim e sipër, shtatë gratë të cilat që prej ditës së djeshme kërcënojnë me vetëflijim nëse ndërtuesi, nuk do të kompensonte me apartamente dhe dyqane shtëpitë e tyre të shembura 3 vjet më parë. Ngjarja zhvillohet në një nga pallatet pranë Unazës së re në Tiranë

 Mes familjeve të këtyre grave, por dhe të disa familjeve të tjera, gjithsej 23, dhe ndërtuesit Namik Pelivani ishte nënshkruar një kontratë e rregullt ligjore për shembjen e shtëpive të tyre, dhe më pas kompensimin me apartamente, e dyqane, pas përfundimit të pallatit. Banorët thonë se ndërtuesi i pallatit ku ato kanë ndërmarrë protestën nuk ka respektuar marrëveshjen e nënshkruar mes tyre, duke e zvarritur ndërtimin e pallatit për 3 vjet me radhë, pavarësisht se ai duhet ta kishte përfunduar ndërtimin e tij që në muajin Maj të vitit 2011.

Gratë kanë qëndruar gjithë natën jashtë mbi tarracën e pallatit. Dhe për t’u mbrojtur nga rënia e temperaturave janë mbuluar me batanije. Ngjarja që ka zanafillën mëngjesin e djeshëm rreth orës 08:00 pritet të jetë sërish sot në qendër të vëmendjes pasi gratë nuk pranojnë të largohen pa gjetur një zgjidhje. Ndërkohë që forcat të policisë vazhdojnë negociatat për të bindur gratë të largohen në shtëpitë e tyre dhe të ndërmarrin zgjidhjen e cështjes në rrugë ligjore.

HISTORIA
Ngjarja e cila ka kulmuar ditën e djeshme me kërcënimin e grave për vetëflijim e ka zanafillën që në vitin 2006. Toka në të cilën sot është ndërtuar pallati ka qenë toka ku banorët që kanë protestuar gjatë ditës së djeshme jetonin në shtëpitë e tyre të palegalizuara ende. Pas fillimit të procesit të legalizimit në gjithë vendin, dhe nga Komuna e Kasharit që përfshin këtë zonë, banorët që kishin shtëpitë e tyre pa leje kanë pranuar ofertën e firmës së ndërtimit "Pelivani" shpk në bashkëpunim me shoqërinë "A$K", për të shembur shtëpitë e palegalizuara të zonës dhe në vend të tyre të ndërtohej një pallat, me përfundimin e të cilit banorët do të merrnin apartamente, ku secila prej familjeve do të merrte metra katrorë në bazë frymëve për familje, përkatësisht 8-10% për frymë. Kontrata midis familjeve është nënshkruar më vonë në mars të vitit 2009, kur shkatërrimi i shtëpive të palegalizuara kishte filluar nga shoqëria "A$K" e cila kishte marrë përsipër përveëse shkatërrimit të shtëpive për t'i hapur rrugë ndërtimit të pallatit të ri, edhe sistemimin e familjeve dhe pagesën e qirasë së shtëpive ku ato do të jetonin. Përvës kësaj shoqëria "A$K" do të bënte dhe pajisjen me certifikatë përfundimtare pronësie të këtyre familjeve pas përfundimit të ndërtimit të pallatit. Në bazë të kontratës së nënshkruar edhe në rrugë ligjore me vulën e noterit dhe të pranishëm, pallati do të përfundonte 14 muaj më vonë në Maj të vitit 2011. Gjatë kësaj kohe pallati ka vijuar ndërtimin e tij, por për shkak të vonesave, ai nuk ka përfunduar, madje është në një fazë ngrehine, megjithëse kanë kaluar pothuajse 2 vjet nga koha kur familjet duhet të ishin futur brenda në apartamentet e tyre. Vonesat në punimet pwr pallatin kanë ardhur pasi gjatë kohës së ndërtimit të tij ka patur një prishje kontrate midis firmës që kishte marrë përsipër ndërtimin e pallatit, pra "Pelivani" shpk, dhe shoqërisë "A$K", me të cilën kishte nënshkruar marrëveshje për sistemimin dhe pagesën e qirave të familjeve të konsideruara të pastreha. Por problemet kanë lindur përgjatë ndërtimit të pallatit nga shoqëria "Pelivani" shpk, e cila e ka prishur kontratën me shoqërinë "A$K". Në këtë pikë, kjo e fundit ka ndaluar së paguari qiratë e familjeve, dhe ndërkojë edhe punimet në pallat kanë vijuar me ritëm të ngadaltë. Madje pronari i firmës "Pelivani" shpk e ka hedhur në gjyq shoqërinë "A$K" dhe familjet që kanë nënshkruar kontratën, me pretendimin se toka nuk ishte e tyre.

NDERTUESI I PALLATIT: DUAN TE ABUZOJNE

Namik Pelivani, pronari i pallatit në ndërtim në zonën e 'Unazës së re' ka thënë gjatë ditës së djeshme se nuk pranon asnjë takim me banorët, të cilët pretedojnë se kanë një konflikt pronësie me të, përveçse në rrugën ligjore. Pelivani deklaroi se problematika qëndron vetëm për 6 familje, të cilat sipas tij kërkojnë të përfitojnë padrejtësisht, pasi duan të legalizojnë ndërtimet pa leje qe sipas tij, nuk kane ende titull pronësie. Sipas Pelivanit, i cili është dhe administratori i shoqërisë "Pelivani" shpk, banorët duan të legalizojnë ndërtimet pa leje. Asnjë nga banorët në protestë nuk ka titull pronësie. Banorët kishin ndërtuar pa leje. Zona ka plan rregullues të miratuar. Banorëve u kemi paguar qiranë prej 2 vitesh tha Pelivani, i cili pretendon se nuk e ka shkelur kontratën e nënshkruar me banorët për ndërtimin e pallatit.

(im/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Ambasadori i Rusisë në Tiranë largohet nga Shqipëria, ja kush e zëvendëson

Ambasadori i Rusisë në Tiranë largohet nga Shqipëria, ja kush e zëvendëson