TORINO, Itali - Pezullimi i ish-presidentit të Juventusit, Andrea Agnelli, ka përfunduar zyrtarisht këtë të enjte, më 20 nëntor, duke i hapur rrugën rikthimit të tij në botën e futbollit pas gati tre viteve larg aktivitetit. Agnelli ishte pezulluar për një periudhë totale prej 34 muajsh, që nga janari i vitit 2023.
Procesi disiplinor nisi më 20 janar 2023, kur Gjykata Federale e Apelit e FIGC (Federata Italiane e Futbollit) e ndaloi atë nga aktivitetet federale për 24 muaj, në kuadër të hetimeve për fitimet kapitale të Juventusit, ndalim që u shtri edhe nga UEFA dhe FIFA. Vendimi u konfirmua më 23 prill të atij viti, pasi Paneli i Garancisë së CONI-t (Komiteti Olimpik Italian) rrëzoi ankesën e tij.
Më pas, më 10 korrik 2023, Agnelli u dënua me edhe 16 muaj të tjerë pezullim si rezultat i procedurave që lidhen me manipulimin e pagave, marrëdhëniet me agjentët dhe marrëveshjet me klube të tjera. Ky sanksion u reduktua në 10 muaj pas një apeli të pranuar pjesërisht nga Gjykata Federale e Apelit.
Paralelisht me drejtësinë sportive, Agnelli ra dakord në shtator për një marrëveshje 'pranimi fajësie', të cilën ai e quajti “një zgjedhje të dhimbshme, por të drejtë” dhe në përputhje me pretendimin e tij për pafajësi.
Me përfundimin e pezullimit, Agnelli tashmë është i lirë të rikthehet në poste operative, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ish-numri një i Juventusit do të rikthehet në futboll dhe në çfarë roli.
Komente








