Përfundon takimi Rama-Meta-
Basha,bien dakord për draft të ri

Përfundon takimi Rama-Meta-<br />Basha,bien dakord për draft të ri
Ka përfunduar pas një ore e 40 minuta takimi trilateral Rama-Basha-Meta. Palët do të punojnë me ekspertët e tyre në një draft të vetëm, ku përfshihet propozimi i Ndihmës Sekretares Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland dhe rekomandimi i Komisionit të Venecias.
 
Mësohet se demokratët kanë propozuar nënkryetarin e komisionit të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi, ndërsa socialistët Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçin, ndërsa për LSI-në do të jetë Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Ata do të negociojnë gjetjen e një zgjidhje të përbashkët deri ditën e enjte, kur edhe pritet të votohet në Kuvend reforma në drejtësi.
 
Takimi tre palësh i kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha vijoi pa praninë e ambasadorëve Donald Lu e Romana Vlahutin. 

Tryeza u thërrit nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, katër ditë përpara votimit në Kuvend, të paketës kushtetuese të reformës. Një ditë më parë, kryeparlamentari Ilir Meta u shpreh se inkurajon një takim pesë palësh me përfshirjen edhe të ambasadorëve Donald Lu e Romana Vlahutin. 

Paketa Kushtetuese e reformës është përfshirë në rendin e ditës të punimeve të Kuvendit të enjten ku edhe pritet të votohet. Mazhoranca dhe opozita ndahen vetëm në një pikë, për rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vettingut, ku PD propozon vetëm rol vëzhgues të tyre dhe jo pjesëmarrje ekzekutive.  

Ndërkohë, pjesë e këtij takimi nuk ishin ambasadorët Lu e Vlahutin, pasi siç thuhej në një deklaratë të shpërndarë për mediat nga ambasada e SHBA dhe ajo e BE, 
Lulzim Basha nuk ka pranuar që të diskutojë mbi draftin hibrid, që Victoria Nuland propozoi për Reformën në Drejtësi.

"Ambasadorët Vlahutin dhe Lu informuan Kryetarin e Kuvendit z. Meta se pas deklaratës së z. Basha, ambasadorët nuk e kanë të mundur të marrin pjesë në negociatat e parashikuara për 18 korrik.  Z. Basha foli për një qeveri teknike dhe nuk e përmendi propozimin hibrid që ai diskutoi me Ambasadoren Nuland më 10 korrik. Nëse z. Basha e rideklaron angazhimin e tij të mëparshëm për të negociuar ekskluzivisht mbi bazën e propozimit hibrid, vetëm atëherë ambasadorët do t’u bashkohen këtyre diskutimeve", thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Ambasada Amerikane.

Një ditë më parë, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ajo e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në tryezën Rama-Basha-Meta, me kushtin që diskutimet në tryezë të bazoheshin mbi drafti hibrid të propozuar nga Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland. 

Zhvillimet minutë pas minute nga takimi Rama-Meta-Basha

Ora 18:20 Mblidhen negociatorët Agaçi, Manjani dhe Bylykbashi
Negociatorët e PD, PS dhe LSI, Ylli Manjani, Oerd Bylykbashi e Engjëll Agaçi janë mbledhur në ambientet e kryesisë së Kuvendit, menjëherë pas përfundimit të takimit trelateral. Ata do të diskutojnë draftin e përbashkët mbi bazën e propozimit hibrid të Ndihmës Sekretares Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias. 

Ora 18:05 Dakordësi për një draft të ri
Mësohet se palët do të punojnë me ekspertët e tyre në një draft të vetëm, ku përfshihet propozimi i Victoria Nuland dhe rekomandimi i Komisionit të Venecias.
 
Mësohet se demokratët kanë propozuar nënkryetarin e komisionit të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi, për të negociuar me dy përfaqësuesit e mazhorancës, gjetjen e një zgjidhje të përbashkët deri të enjten, kur edhe pritet të votohet reforma në Kuvend. Ndërsa PS ka mandatuar Engjëll Agaçin, Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë

Ora 17:55 Basha: Takimi ishte konstruktiv, zgjidhja sipas propozimit hibrid
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se takimi ishte konstruktiv.

Sipas tij, tre forcat politike do të punojnë me ekspertët e tyre për të finalizuar një draft të përbashkët politik.

"E vlerësoj këtë takim. Tre forcat politike kanë angazhuar përfaqësuesit e tyre për të propozuar një zgjidhje mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Venecias. Është një mundësi për të përmbyllur me sukses maratonën e reformës. Negociatori ynë do të jetë Bylykbashi. Zgjidhje mbi rekomandimin hibrid dhe Komisionin e Venecias. Uroj që negociatorët që sapo janë mandatuar do të bëjnë një punë të mirë për t'iu dhënë shqiptarëve lajmin e mirë", u shpreh Basha.



Ora 17:45 Përfundon takimi Rama-Meta-Basha
Përfundon poas rreth 1 orë e 40 minuta takimi tre palësh mes Edi Ramës, Ilir Metës dhe Lulzim Bashës. Nuk dihet nëse ka pasur dakordësi mes palëve për qëndrimet politike ndaj propozimit të ri të Victoria Nuland. 

Ora 16: 12 Nis takimi tre palësh Rama-Meta-Basha
Ka nisur takimi tre palësh mes kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kreut të PD, Lulzim Basha. Në këtë tryezë do të diskutohet qëndrimi final i politikës, 4 ditë përpara votimit të paketës kushtetuese të reformës në Kuvend. 

Ora 16:08 Mbërrijnë takim edhe kryeministri Edi Rama me kryetarin e PD, Basha
Kryeministri Edi Rama shoqërohet në këtë takim nga kreu i komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj. Ndërsa kryetari demokrat, Lulzim Basha shoqërohet nga Oerd Bylykbashi. 



Ora 15:50 Mbërrin në kryesinë e Kuvendit, Ilir Meta
Kryeparlamenti Ilir Meta ka mbërritur i pari në kryesinë e Kuvendit, ku pritet të zhvillohet takimi tre palësh. Rama-Meta-Basha do të takohen për të diskutuar mbi vendimin politik ndaj paketës kushtetuese të reformës në drejtësi. Kreu i Kuvendit shoqërohet në këtë takim nga kryetari i grupit parlamentar i LSI, Petrit Vasili.  

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mbi 9 mijë gjoba për një javë, Rrugorja bën bilancin: 22 shoferë të arrestuar

Mbi 9 mijë gjoba për një javë, Rrugorja bën bilancin: 22 shoferë të arrestuar