Përgjimet e reja e bëra publike kanë nxjerrë në pah, urrejtjen e ish-ministres së Brendshme maqedonase, Gordana Jankulloska e cila në një bisedë me shedin e kabinetit të kryeministrit Gruevski, Martin Protugier, ka deklaruar se duhet të organizohet një luftë 1 orëshe që të pastrohemi nga shqiptarët, duke shtuar se ky nuk është momenti për të treguar muskujt. 

Sipas përgjimeve, e pyetur nga Martin Protugier, nëse do të donte një luftë, ajo është përgjigjur "Nuk ka bashkëjetesë me ata. Duhet që të pastrojmë me to njëherë e përgjithmonë. Nëse duhet të tregojmë se kush është më i fortë, për një orë mund t’i vrasim shiptarishtat, por tani nuk është momenti që ne te tregojmë muskujt."- dëgjohet zëri i Jankullovskës, duke folur me Protigierin, duke nënkuptuar presionin e ndërkombëtarëve për bashkëjetesën.

Ndër të tjera në përgjim, Jankulloska i cilëson shqiptarët e maqedonisë si shiptar apo shipta, çka nënkupton njerëz me nivel të ulët intelektual.

“Po merrem me këta “shiptarishtat” . Shiptarishtat po më nervozojnë shumë. Si munden të jenë aq budallenj”, thotë Jankullovska, duke folë me bashkëshortin e saj Vllatko Ilievski.  

Edhe më herët në një përgjim të publikuar më parë ajo i ka cilësuar shqiptarët si njerëz të egër dhe indianë.
 
Publikimi i përgjimit vjen 6 ditë pas luftimeve në Kumanovë, ku mbetën të vrarë 22 persona, 8 policë ndërsa 14 viktimat e tjerë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në aksionin e Kumanovës u arrestuan edhe 30 persona.

Zaev:Qeveria shkatërron bashkëjetesën, rasti 'Monstra' shqiptarët janë të pafaj  
Publikimi i përgjimeve skandaloze të bëra publike deri tani nga kreu i opozitës Zoran Zaev e ka vendosur qeverinë e Gruveskit përballë krizës më të madhe politike.
Zaev në deklaratën e tij theksoi se nga sot do të nxjerrim ato çështje që prekin bashkëjetesën në Maqedoni duke bërë publik edhe bisedën mes Jankulloskës dhe Protugier.

Gjithashtu Zaev ka deklaruar se do të publikojë pas protestës së 17 majit një tjetër përgjim që prek çështjen e shqiptarëve në Maqedoni ku bëhet fjalë për rastin “Monstra”, ku mijëra persona protestuan për dënimin e 6 shqiptarëve për vrasjen e 5 të rinjve maqedonas.
 
Sipas Zaev, përgjimet do të tregojnë të vërtetën se vrasja është kryer me porosi të autoriteteve të larta maqedonase, po ashtu edhe dënimi i shqiptarëve.
 
Por pas publikimit të përgjimeve të sotme ku përfshihen drejtpërdrejt shqiptarët, ku drejtuesja e një prej ministrive më të rëndësishme fyen rëndë shqiptarët madje arrin deri në pikën e bërjes së një plani lufte për të "shpëtuar nga ata", pritet të shkaktojë reagime të shumta.