Vetëm një ditë pasi drejtori i Policisë italiane Alessandro Pansa i ka dërguar një letër shpjeguese kryeprokurorit Adriatik Llalla, lidhur me arsyen e futjes në Shqipëri të aparaturës “IMSI Catcher”, Prokuroria e Përgjithshme nuk e merr të mirëqenë këtë shpjegim. Kjo sepse prokuroria shpjegon se, informacioni për pajisjen i është kërkuar zyrtarisht drejtuesve të misionit “Interforcë” në Shqipëri dhe jo direkt Alessandro Pansa.

Nisur në këto kushte, Prokuroria Shqiptare vijon të këmbëngulë se drejtuesit e misionit italian në Shqipëri duhet të japin një sqarim konkret lidhur me veprimin e kësaj pajisje, nëse është përdorur për trajnime ku është përdorur, si dhe t’i vërë në dispozicion këtë aparaturë për kryerjen e ekzaminimit teknik të saj. Një tjetër arsye se pse kryeprokurori Llalla nuk e konsideron të ezauruar përgjigjen e italianëve për pajisjen “IMSI Catcher” është dhe fakti se letra nuk ka firmë dhe vulë, gjë që sipas Prokurorisë e bën të dyshimtë përpilimin e kësaj letre.