Përgjimet, trafikanti:Dhashë 150
mijë € që të largohej prokurori

Përgjimet, trafikanti:Dhashë 150<br />mijë € që të largohej prokurori
Kreu i grupit kriminal Jurgen Molla është biznesmeni që ka drejtuar këtë grup kriminal me shtrirje në shumë shtete të Ballkanit dhe jo vetëm. I pasuruar nga droga dhe investimet në ndërtime dhe shitjen e apartamenteve, Molla ka rritur influencën e tij në Shqipëri, ku kundrejt parave duket se ka kërkuar transferimin e prokurorëve. Dhe më konkretisht një gjë e tillë ka ndodhur me prokurorin e dosjes në të cilën Jurgen Molla dhe të gjithë bashkëpuntorët e tij kanë qënë objekt hetimi.

Për gjatë hetimeve prokuroria ka arritur të sigurojë një sërë provash hetimore, ndërkohë që janë administruar në fashikujt hetimore dy biseda telefonike që Jurgen Molla ka bërë me nënën e Arben Prendit, korrierit të Mollës të arrestuar në pikën e kalimit kufitar Morinë me 15 kg heroinë.

Bisedat për prokurorin
Në këto biseda tashmë të transkiptuara mes ndërtuesit Molla dhe nënës së Prendit mësohet se flitet për prokurorin e çështjes Anton Martini. Molla, shfaq interes të vazhdueshëm për patriotin e tij Prendi të cilin e kishte përdorur si korrier nga Kosova në Shqipëri.

Mes të tjerave ai i shprehet nënës së Prendit se kishte mbaruar punë, kishte larguar prokurorin e çështjes Anton Martini, duke e çuar në Shkodër. Në bisedën e përgjuar ai shprehet se kjo lëvizje i kishte shkuar shtrenjtë, diku tek 150 mijë euro, që nuk dihet se ku janë paguar. Nga sa mëson “Shqiptarja.com” në dijeni të këtyre dy procesverbaleve është dhe kryeprokurori Llalla.

Nuk dihet se ku është bërë kjo pagesë dhe kush ka lobuar për të bërë këtë transferim të prokurorit nga Krimet e Rënda në Shkodër, pasi gjithçka ka mbetur vetëm tek kjo telefonatë e përgjuar mes Jurgen Mollës dhe nënës së Arben Prendit. Nuk dihet nëse ka diçka të vërtetë në këtë telefonatë, por ajo që dihet tashmë është se prokurori Anton Martini është transferuar në Shkodër, në një kohë kur prej një viti dosja e Jurgen Mollës ndodhej në zyrën e këtij prokurori.

Hetimi i dosjes
Prej një viti Jurgen Molla dhe të gjithë anëtarët e grupit të tij janë hetuar nga prokurori Anton Martini. Në disa episode ky i fundit i ka arrestuar këtij grupi disa korrierë, duke sekuestruar njëkohësisht dhe sasi të konsiderueshme droge, ku më e madhja ka qënë 15 kilogram heroinë. Kapja e drogës sillte pakënaqësi mes rradhëve të grupit, të cilët dyshonin për dekonspirime mes anëtarëve apo tek mbajtja në mbikqyrje të vazhdueshme nga policia dhe prokurori Anton Martini.

Kjo sillte dhe kryerjen e dhjetërave bisedave telefonike mes anëtarëve të grupit dhe familjarëve të personave të arrestuar të kësaj organizate. Për pasojë, në një nga bisedat e kryera është arritur të interceptohen dy biseda ku flitet për prokurorin e çështjen Martini dhe transferimin e tij në Shkodër. Pas transferimit të tij në Shkodër çështja i është besuar një prokurori tjetër jo me pak përvojë në hetimin e krimeve tek Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Eugen Beci ka administruar të gjithë dosjen dhe se dy ditë më parë ka filluar firmosjen e urdhër-karresteve të para për drejtuesit e këtij grupi kriminal. Arrestimet kanë nisur që prej ditës kur është festuar festa e Bajramit. Kanë qënë strukturat e GOS ata qënë kanë kryer arrestimin e biznesmenëvë në disa qytete. Ndalimi i tyre është bërë pikërisht në një ditë kur ata mendonin se ishin shumë të qetë, duke festuar me familjet e tyre festën e Bajramit.
 
Operacioni në stomak, Jurgen Mollës i ra të fikët kur e arrestuan
Gjatë momentit të arrestimit të ndërtuesit Jurgen Molla nga policia ky i fundit ka pasur komplikacione shëndetësore. Ai nuk e ka pritur arrestimin e tij nga policia, të cilët të maskuar dhe armë në duar kanë ndërhyrë me shumë vrull duke bërë arrestimin e biznesmenit Molla.

Por ky i fundit është ndjerë keq dhe ka humbur ndjenjat duke u shtrirë në tokë. Kjo situatë ka sjellë një situatë të pakëndshme, dhe prania e madhe e policëve me maska ka sjellë dhe tërheqjen e qytetarëve.

Më pas biznesmeni e ka rimarë veten dhe se tashmë gjëndja e tij është e përmirësuar.Nga burimet mësohet se Jurgen Molla kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga spitali pasi i ishte nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në stomak.

Siç duket për shkak edhe të kësaj ndërhyrje dhe emucionet e situatës ai ka pësuar humbjen e ndjenjave gjatë momentit të arrestimit.Pritet që në ditët në vijim prokuroria e Krimeve të Rënda do i drejtohet gjykatës së Krimeve të Rënda duke kërkuar masën e “arrestit në burg” për 14 personat e arrestuar gjatë operacionit të koduar “Ballkan”.
.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës