Përjashtimin e 20 deputetëve të Partisë Demokratike nga Kuvendi, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e ka cilësuar një akt të rëndë agresioni politik dhe një përpjekje për të mbytur zërin e opozitës.

Në një reagim publik, Bardhi akuzon mazhorancën se ka humbur qetësinë dhe po tregon frikë nga qytetarët dhe opozita. Ai thekson se Kuvendi nuk është pronë e pushtetit dhe se deputetët e opozitës janë aty me mandatin e qytetarëve, jo me lejen e qeverisë.

Bardhi deklaron se përjashtimi i deputetëve nuk do ta ndalë opozitën dhe se ajo nuk do të tërhiqet përballë presionit politik.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Kanë humbur qetësinë, kanë humbur arsyen dhe po tregojnë hapur frikën nga qytetarët dhe opozita!

Përjashtimi i 20 deputetëve të PD-së nga Kuvendi është një akt i rëndë agresioni politik dhe një përpjekje e hapur për të goditur opozitën dhe për të mbytur zërin e qytetarëve që ajo përfaqëson.

Ata që qytetarët i kanë refuzuar dhe i kanë shpallur të padëshiruar, sot kërkojnë të përjashtojnë nga Kuvendi përfaqësuesit e opozitës. Ky është kulmi i arrogancës dhe i shpërfilljes së demokracisë parlamentare.

Kuvendi nuk është pronë e pushtetit dhe opozita nuk është në Kuvend me lejen e qeverisë, por me mandatin e qytetarëve! Ndryshe nga deputetët vasalë të klaneve kriminale, mbi të cilët rëndojnë akuza dhe dyshimet për lidhje me krimin e organizuar apo akte korrupsioni, deputetët e PD-së janë aty për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, për të denoncuar abuzimet dhe për t’i kërkuar llogari një pushteti që kërkon të sundojë pa kundërshtim.

Përjashtimi i deputetëve nuk e mbyll gojën e opozitës, nuk e fshin të vërtetën dhe nuk e ndal betejën për demokracinë. Përkundrazi, çdo përpjekje për të përjashtuar opozitën vetëm sa dëshmon frikën e pushtetit nga fjala e lirë dhe llogaridhënia.

Opozita nuk do të intimidohet, nuk do të heshtë dhe nuk do të tërhiqet përballë asnjë presioni politik. Demokracia nuk mbrohet duke përjashtuar kundërshtarët, por duke respektuar pluralizmin dhe vullnetin e qytetarëve.


Lajmi kryesor:

Bllokuan foltoren, sulmuan dhe goditën fizikisht, PS kërkon përjashtimin me 2 muaj nga Kuvendi të Nokës, Krekës e Këlliçit dhe 3 të tjerëve! 10 ditë për 14 deputetë të PD, 'Etika' vendos nesër