Sekretari i Përgjithshëm i Partia e Lirisë, Tedi Blushi, e cilësoi përjashtimin e deputetëve të opozitës nga Komisioni i Etikës si një “atentat ndaj pluralizmit politik”, duke deklaruar se ky vendim vetëm sa e motivon më tej qëndresën e opozitës.

Në një konferencë për shtyp të martën, Blushi u shpreh se afera e AKSHI-t, ka "hequr çdo maskë dhe ka konfirmuar rrëmbimin e shtetit nga mafia".

Ai tha se nuk bëhet më fjalë për korrupsion sporadik, por për një sistem të kriminalizuar, ku ‘strukturat kriminale diktojnë vendimet dhe përdorin institucionet shtetërore për interesa të paligjshme’.

“Ky rrjet kriminal ka vënë dorë mbi Thesarin e Shtetit, ka depërtuar në sisteme të ndjeshme si TIMS-i dhe ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare. Shteti nuk qeveriset më nga ligji, por nga krimi i organizuar,” deklaroi Blushi.

Blushi komentoi edhe përjashtimin e 6 deputetëve të PD-së nga Komisioni i Etikës, për 30 ditë, duke thënë  se ky veprim ‘akt frikësimi politik’, nuk do të ndalë betejën e opozitës.
“Ky akt vetëm sa e motivon më shumë qëndresën dhe vijimin e betejës sonë të drejtë dhe të pakompromis për shporrjen e bandës mafioze që ka marrë peng shtetin,” u shpreh ai. 

Deputetët e përjashtuar për 30 ditë janë: Belind Këllici, Fidel Kreta, Albana Vokshi, Klevis Balliu, Flamur Noka dhe Elda Hoti. Masa disiplinore ndaj tyre do të nisë të zbatohet më 19 janar 2026 dhe do të zgjasë deri më 19 shkurt 2026.

Deklarata e Tedi Blushit: 

"Ky rrjet kriminal ka vënë dorë mbi Thesarin e Shtetit, ka depërtuar në sisteme të ndjeshme si TIMS-i dhe ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare. Shteti nuk qeveriset më nga ligji, por nga krimi i organizuar. Shteti nuk qeveriset më nga ligji, por nga krimi i organizuar, i cili vepron i paprekshëm, i mbrojtur dhe i integruar në vetë strukturat e pushtetit. Akti i sotëm i përjashtimit të deputetëve të opozitës, nga Komisioni i Etikës së Krimit dhe Vjedhjes në Kuvend, është një tjetër atentat ndaj pluralizmit politik, që vetëm sa e motivon më shumë qëndresën dhe vijimin e betejës sonë të drejtë dhe të pakompromis për shporrjen e kësaj bande mafioze që ka marrë peng shtetin.

Është e destinuar të dështojë çdo tentativë kriminale për të bllokuar drejtësinë, e ndërmarrë nga njeriu që e kapi për fyti drejtësinë dhe që sot dridhet edhe nga drejtësia që vetë krijoi, e aq më tepër nesër imagjinoni nga një drejtësi realisht e pavarur.

Asgjë nuk do ta ndalë llogaridhënien dhe ndëshkimin e merituar të Edi Ramës, të Belinda Ballukut, Ergys Agasit dhe gjithë bandës së hajdutëve që kanë ndërtuar pushtetin mbi grabitjen, krimin dhe drogën"

 


Lajmi kryesor:

Kaos, dhunë dhe flakadanë në Kuvend, përjashtohen 30 ditë 6 deputetë të PD, mes tyre Noka e Këlliçi! ‘Falen’ 23 ligjvënës të tjerë, Berisha dhe Bardhi 'ia hedhin paq'