TIRANE – Ish-drejtori i Policisë së Dibrës, Shemsi Prençi, që denoncoi skandalin e kromit në Bulqizë, ka paditur në Gjykatën e Tiranës drejtorin e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Në padinë e tij, Shemsi kërkon anulimin e urdhrit të kryepolicit Burgaj, i cili pak kohë më parë vendosi përjashtimin e Shemsi Prençit nga rradhët e policisë.

Në fund të prillit, Policia e Shtetit nëpërmjet një deklarate për shtyp njoftoi se kishte përjashtuar Shemsi Prençin nga rradhët e saj "për kryerje të veprimeve të pahijshme dhe shkelje dhe mos ushtrim të kompetencave të policisë".

Shkarkimi i tij erdhi vetëm pak ditë pasi Prençi i dorëzoi Drejtorit të Policisë së Shtetit dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Policisë së Qarkut Dibër dhe nga çdo funksion në policinë e shtetit. Prençi akuzoi Drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme si të implikuar në mafian e kromit në Bulqizë. Nga ana e saj policia e shtetit i quan shpifje këto akuza.

Ish-drejtori i Policisë së Qarkut Dibër akuzoi publikisht strukturat e larta shtetërore se janë implikuar në atë që ai e quajti "mafia e shpellave", e cila shfrytëzon barbarisht kromin dhe jetën e minatorëve të Bulqizës.

(eq/im/shqiptarja.com)