Memorie.al publikon historinë e panjohur të botimit të librit “Skandali Cordinjano dhe Mbrojtja e Kombit Shqiptar”, me autor Dom Nikoll Mazrrekun që u botua në vitin 1941, si përgjigjie dhe kundërvënije ndaj priftit Italian, Fulvio Cordinjano, autor i një libri me sulme dashakeqe dhe akuza të pabaza ndaj kombit shqiptar. Përkthimi i atij libri nga studenti 17 vjeçar i gjimnazit të Tiranës, Agim Leka, (me origjinë nga një familje e njohur për tradita patriotike e Borshit të Sarandës), me titullin e ri “Risposta a Cordignano sui suoi giudizi nei riguardi degli Albanesi”, që do të thotë “Përgjigje Cordinjanos për mbi gjykimet e tij mbi Shqiptarët”.
Ashtu si shumë qytete të tjera historike të Shqipërisë edhe Shkodra ka qenë nëpër shekuj një ndriçim diturie dhe një kështjellë krenarie për urtësinë dhe trimërinë në mbrojtje të nderit, të traditave dhe të pavarësisë shqiptare. Për më tepër, Shkodra mishëron lidhjen historike të popullit shqiptar me Botën Perëndimore si mburoje e qytetrimit të tij. Prandaj nuk ishte e pa pritur që gjatë sundimit të Italisë fashiste, kur penda helmuese e priftit italjan, Fulvio Cordinjano, sulmoi bërthamën e ekzistencës shqiptare në të përkohëshmen famëkeqe “Rivista d’ Albania” të muajit mars 1941, përgjigja e rreptë të dilte nga ky qytet historik, nga Shkodra e Teutës, me dy libra të cilat përfaqësojnë fillimin e qëndresës së hapur nga penda shqiptare kundër sundimit fashist italjan.
Dy librat e Nikoll Mazrrekut Libri “Skandali Cordinjano dhe Mbrojtja e Kombit Shqiptar” nga Nikë Barcolla, (pseudonim i Dom Nikollë Mazrrekut), i përbërë prej 36 faqesh dhe i nënshkruar nga 20 profesorë të Liceut shtetëror të Shkodrës, “Cordinjano në Gjyq përpara Botës”, i përbërë prej 31 faqesh, frymëzuan rininë e Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë të bënin demonstrata kundër Italisë fashiste. Në ato dy libra kundër Cordinjanos, toni i përgjigjes i Dom Nikoll Mazrrekut, përveç titullit kushtrimdhënës, pasqyrohesh mbi mbulesën e librit të tij ku ishin vizatuar 12 shigjeta dhe ku ishte shkruar një citim i një fjale të urtë të Aristotelit: “Mos me u idhnue kur lypet, asht marri”.
Kështu, Dom Mazrreku duke bashkërenditur trimërinë dhe urtësinë shqiptare, shpërtheu haptazi përbuzjen e shqiptarëve kundër Cordinjanos dhe si rjedhim edhe kundër atyre që e kishin nxitur atë të shkruante kundër popullit tonë, me qëllim që të justifikonin pushtimin e Shqipërisë, si një misjon e qytetrimi të Italisë fashiste, ashtu siç bëhesh në kohën e perandorisë romake. Gjithashtu në librin e Cordinjanos, shqiptarët paraqiteshin si Kombi më i prapambetur dhe obskurantist i Europës dhe ardhja e italianëve në Shqipëri, kosiderohej jo si pushtim, por për t’i qytetëruar ata. Libri u sekuestrua me urdhër të Luogotenences italjane dhe prifti shqiptar Dom Nikollë Mazrreku, që në atë kohë ishte ndihmës-famullitar në Famullinë e Tiranës, u internua në fshehtësi dhe pa bujë në katundet e Malësisë.
Borshi dhe familja ime Leka
Në një kohë që shumica e shokëvet të mij në Liceun shtetëror të Tiranës, me idealizmin e tyre të pamohueshëm për çlirimin e Atdheut tonë dhe për ndërtimin e një “shoqërie të re”, kishin përqafuar një ideologji të huaj ku thuhej: “Internacionale do të jetë bota e re”, unë fillova të shtoja dyshimet e mija të përforcuara edhe nga im atë, që më thoshte: “Asgjë e mirë nuk do t’i vijë kombit tonë nga bota sllavo-komuniste”. Im atë më tregonte vuajtjet e shkaktuara nga fqinjët tonë të veriut dhe të jugut, të cilat ai i kishte përjetuar me brengë në zemër, se si fshati i ynë Borshi, i njohur në mesjetë me emrin “Sopot”, bashkë me 314 katunde shqiptare u bë shkrumb e hi nga andartet greke më 1914, vetëm e vetëm se banorët e tyre ishin shqiptarë brez pas brezi që nga kohët e lashta.
Në kalanë e Sopotit (Borshit), e ndërtuar në shekullin e katërt para Krishtit, ku djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti, pasi zbarkoi me kontigjentin e tij në Himarën më 1481-in, bëri rezistencën më të fortë i ndihmuar dhe nga trimat e bregdetit të Himarës dhe të gjithë Labërisë, të cilët e njohën Gjon Kastriotin si princin e tyre. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, më 1499, Gjergj Kastrioti, djali i tij, zbarkoi përsëri me një kontigjent tjetër dhe përqëndroi rezistencën e tij në Sopot. Në verën e vitit 1572, kur në Evropën Perëndimore, fanatikët fetarë bënin vëllavrasjet më të shëmtuara, në kalanë e Sopotit (Borshit), shqiptarët u tregonin botës se si nderohesh qytetrimi perëndimor.
Në luftën e tyre heroike për liri, luftëtarët e kalasë së Sopotit u hodhën në erë bashkë me depot e barutit dhe 500 ushtarë osmanllinj të cilët kishin depërtuar në kështjellën e tyre. (Contarini G.P. histoire faqe 30). Gjatë historisë së tij mesjetare, Borshi ka ndjerë peshën e rëndë të dy sulltanëve, të cilët e panë të domosdoshme të kryesonin trupat e tyre për të nënshtruar popullsinë kryengritëse të bregdetit shqiptar, i pari, Sulltan Bajazit i dytë me 1492 dhe i dyti, Sulltan Sulejmani me 1537. Kështu e këndon kënga popullore heroizmin e shqiptarëve për liri: “Ky sulltani qan me lot, ka dhe një Skënder në Sopot”.
Si ndikoi tek unë libri i Mazrrekut?
Brenda kontekstit të përshkruar më lart, botimi i librit të Mazrrekut “Skandali Cordinjano dhe Mbrojtja e Kombit Shqiptar”, ishte për mua shkëndija frymëzuese në ringjalljen e ndjenjave të mia Kombëtare dhe përforcuese në bindjen time se duhet të vazhdoja traditën e familjes sime nacionaliste, e cila kishte filluar me gjyshin tim Nebi Sefa, nënshkrues i shpalljes së pavarësisë shqiptare në 1912-ën në Vlorë dhe një nga protagonistët kryesorë në organizimin e Kongresit të Lushnjës në 1920-ën. Ishte Nebi Sefa ai që u ngarkua nga komisjoni përgatitor i Kongresit të Lushnjës të kërkonte bashkëpunimin e Luigj Gurakuqit të cilin e kishte njohur në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Po kështu tradita e familjes sime vazhdon me gjyshin tim Ibrahim Leka, i cili si komandant i Qarkut të Lushnjës, e asgjësoj urdhërin telegrafik të cilin e dërgonte Valiu i Janinës, ku urdhëronte arrestimin e Ismail Qemalit dhe delegatët e tjerë që e shoqëronin atë për në Vlorë. Ibrahim Leka e lajmëroi Nebi Sefën, se ai do të linte një rrugë të hapur për delegacjonin shqiptar, i cili do të kalonte pa pengesa për në Vlorë nën mbrojtjen e heshtur të tij dhe i uroi Ismail Qemalit suksese. (Dokumente, Instituti i Historisë, Dosja e Qemal Karaosmanit, 1936).
Kontributi familjes Leka në shpalljen e pavarësisë
Si shumë familje të tjera atdhetare, edhe familja Leka ka dhënë një kontribut modest në shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë. Kështu Hamit Leka, Qarkomandant i Tiranës, me porosi të Ismail Qemalit, së bashku më parinë e Tiranës, më 26 nëntor 1912-të, në ora tre e gjysëm të pasdrekës ngriti flamurin në Tiranë dhe i dërgoi telegram Hifzi Pashait, komandantit të trupave turke në Ballkan, ku e njoftonte se Tirana ishte tashmë territor shqiptar (libri: “Patriotizma në Tiranë”).
Tradita e familjes sime, vazhdon me babanë tim Rakip Lekën, i cili ja kushtoi jetën Jurisprudencës shqiptare duke i shërbyer popullit me të gjitha mundësitë e tija si jurist. Si student i Drejtësisë në Universitetin e Stambollit, Rakip Leka ishte i dyti në listën e studentëve shqiptarë që firmuan protestën e dërguar Sulltanit kundër alfabetit arab dhe në favor të alfabetit latin për gjuhën shqipe.
Si e përktheva librin e Mazrrekut?
I entuziasmuar pa masë nga libri i Dom Nikoll Mazrrekut, vendosa që ta përktheja atë në gjuhën italiane dhe për këtë kërkova takim me Dom Nikollën, me qëllim që t`i merrja leje për botimin e librit. Takimin me Dom Nikollën e realizova në fillimin e vitit 1942 në Tiranë ku ai shërbente si famullitar. Ai takim, për mua ishte një fat i madh dhe shumë mallëngjyes, sepse unë një student 18 vjeçar fare i panjohur, po takohesha me një personalitet e atdhetar të madh, i cili me librin e tij kundër Cordinjanos kishte ngitur lart vlerat e racës shqiptare. E kujtoj si tani atë çast kur përpara meje u shfaq ai burrë i gjatë, i veshur me petkun e thjeshtë fetar, që me pendën e tij kishte nxitur qindra studentë shqiptarë të demonstronin për liri.
Fjala e ëmbël dhe idealizmi i tij për atdheun tonë të shtypur, ishin e gjithë tema e bisedës sonë. Me një herë u kuptuam se cila ishte detyra e çdo qytetari shqiptar, cilado qofshin pasojat nga pushtuesi fashist. Asnjeri nga ne nuk kërkonte famë ose ndonjë përfitim material, ajo ishte vetëm një detyrë që buronte nga shpirti i genit tonë shqiptar i cili kërkonte vetmohim. Pasi Dom Nikolla me kënaqësinë më të madhe, më dha lejen për botimin e librit, në parathënien e tij për lexuesët italjanë më 1942, unë shkrova: “Përkthimi i këtij libri në gjuhën italishte, nuk kishte tjetër forcë shtytëse përveç dashurisë së thjeshtë për Atdhe”. Ky takim ishte i pari dhe i fundit me Dom Nikollën, sepse i përndjekur nga autoritetet fashiste italiane, ai u detyrua në mënyrë të heshtur të largohej nga Tirana dhe të shkonte në fshatrat e thella të Malësisë.
Peripecitë e botimit të librit
As sot nuk e di se si vendosa që në moshën 18 vjeçare t’i kushtoja katër muaj përkthimit e botimit të librit “Skandali Cordinjano dhe Mbrojtja e Kombit Shqiptar”, duke i vënë titullin e ri “Risposta a Cordignano sui suoi giudizi nei riguardi degli Albanesi”, që do të thotë “Përgjigje Cordinjanos për mbi gjykimet e tij mbi Shqiptarët”. Duke mos ndryshuar asnjë fjalë brenda tekstit origjinal, arrita munda të nxirrja leje për botimin e tij në gjuhën italishte, libër i cili kishte qenë i sekuestruar më parë në botimin shqip.
Libri u botua nga shtypshkronja “Kastrioti” me një tirazh prej 2000 kopjesh dhe u shpërnda duke u blerë nga konsullata të ndryshme e italianët që ishin në Shqipëri. Se pse zgjodha librin e Dom Nikoll Mazrrekut (Nikë Barxolla) për përkthim dhe pse vendosa t’a pasuroja atë me shënime të marra nga botimi i profesorëve të Liceut të Shkodrës “Cordinjano në gjyq përpara Botës”, duke zmadhuar kështu përkthimin e librit në gjuhën italishte nga 36 faqe në origjinalin shqip, në 42 faqe të përkthimit italisht, nuk është vendi për të ndalur në këto pak rradhë, sepse i kam shpjeguar në parathënejen time të përkthimit, e cila u botua me datën 5 maj 1942. Këtë parathënie, unë e fillova me vargjet e Fishtës të përkthyer në italisht, të cilët pasqyrojnë krenarinë shqiptare nëpër shekuj dhe sfidën e racës e të shpirtit shqiptar, ku thuhet: “Na jem t`bijt e një fisit të përmendun/ n`dorë, qi i ndrit si rrfeja çeliku/ qi e qetësisë veç t’u dridhun anmiku/ që tanë bota kah besa e nderon”.
Takimi i fundit me Dom Mazrrekun
Në tetor të vitit 1994, me një kolegun tim i dërgova Dom Nikollë Mazrrekut përshendetjet e mia më të përzemërta. Ai m’u përgjigj me një fotografi të tijën si kujtim, në të cilën shkruante: “Të fala me shumë mall”. Kështu 52 vjet pas takimit tonë të shkurtër në famullinë e Tiranës me 1942, Dom Nikollë Mazrreku nga kryeqyteti i Ilirisë dhe unë Agim Leka nga Neë York-u, por me prejardhje nga fshati i Borshit, perla e rivierës shqiptare në skajin jugor të Shqipërisë se cunguar, u lidhëm përsëri shpirtërisht, me zemër të përvëluar për Kombin e shumëvuajtur, ashtu siç u bashkuam gjysëm shekulli më parë.
Pak kohë përpara, mora lajmin se Dom Nikolla ishte ndarë nga kjo jetë. Shpirti i tij është tashti në botën e amshuar. Ai i kushtojë tërë jetën Zotit e Atdheut dhe ne brezat e rinisë shqiptare të cilat ai na frymëzoi me idealet e larta të njerëzimit e me dashuri e sakrificë për Atdheun tonë të shtrenjtë, do ta kujtojmë gjithmonë me respektin më të madh. Memorie.al