PRISHTINE, 13 Shkurt/ATSH/- Në 15 vjetorin e rënies së dëshmorit Avni Haradinaj, i cili ra në mbrojtje të qytetit të Mitrovicës dhe shqiptarëve që jetonin në veri, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri me bashkëpunëtorë, të premten ka vënë lule mbi pllakën përkujtimore të këtij dëshmori që ndodhet në veri të Mitrovicës.
Aika vlerësuar lartë kontributin e dëshmorit Haradinaj në luftë dhe në veçanti, siç u shpreh, në mbrojtje të shqiptarëve në lagjet veriore të qytetit, të cilët po sulmoheshin barbarisht nga ekstremistët serbë.
"Avni Haradinaj ishte një luftëtar i patrembur në luftë për çlirimin e vendit. Ai trimërinë e vet e tregoi edhe pas përfundimit të luftës, duke ju dalë në ndihmë shqiptarëve që ende ishin duke jetuar në pronat e tyre në veri të qytetit, ku për çdo ditë sulmoheshin nga bandat kriminale serbe, me qëllim të dëbimit të tyre nga atje dhe spastrimit etnik të kësaj pjese të qytetit. Ai është dëshmori i vetëm që ra për bashkimin e Mitrovicës dhe për këtë ne mburremi me të dhe jemi krenar që patëm një bashkëqytetar të tillë", ka thënë Bahtiri.
Veprimtari Fevzi Beqiri, banor i kësaj lagje, tha se Avni Haradinaj është krenaria e shqiptarëve të veriut të Mitrovicës.
"Avniu ishte gjithmonë pranë nesh dhe me ne. Ai na jepte forcë që të qëndrojmë në pronat tona në veri, edhe pse ishim në shënjestër të bandave serbe. Ditën kritike, pra para 15 vjetëve, kur dëgjoi se jemi në rrezik, nuk u hamend fare për të na ardhur në ndihmë, ndonëse ishim të rrethuar nga të gjitha anët me forca të mëdha të policisë së UNMIK-ut e të KFOR-it dhe me kriminelë serbë. Fatkeqësisht, duke e kaluar këmbë Ibrin e ftohtë, u vra nga forcat franceze të sigurisë, por ai do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona", tha Beqiri.
Ndryshe, në shkurt të vitit 2000, janë dëbuar me dhunë nga lagjet veriore të Mitrovicës rreth 12 mijë shqiptarë, janë vrarë dhjetë, ndërsa janë plagosur qindra të tjerë./kosovapress/ /a.g/








