Kryetari i Partisë së Lirisë në Durrës Adriatik Hoxha ka bërë thirrje për shpalljen urgjente të gjendjes së emergjencës, duke denoncuar situatën e rëndë të përmbytjeve që ka përfshirë qytetin e Durrësit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Ai theksoi se përkeqësimi i situatës lidhet jo vetëm me faktorët natyrorë, por edhe me mungesën e reagimit të duhur institucional. Sipas tij, shumë zona të qytetit janë përmbytur dhe janë lënë pa asnjë ndërhyrje, duke rrezikuar sigurinë e banorëve dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Kreu i PL në Durrës akuzoi institucionet vendore për mungesë të masave parandaluese dhe për një menaxhim të dobët e të pakoordinuar të situatës, çka sipas tij ka ekspozuar qytetarët ndaj pasojave që mund të ishin shmangur.

Deklarata e Kryetarit i PL në Durrës:

Qyteti i Durrësit po përballet me një gjëndje të rëndë përmbytjeje  dhe kjo vjen si pasojë e reshjeve të dendura. Ndërsa mungesa e reagimit të duhur institucional ka përkeqësuar ndjeshëm situatën.

Shumë zona janë përmbytur dhe janë lënë pa ndërhyrje duke rrezikuar sigurinë e banorëve dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme.

Mungesa e masave parandaluese dhe menaxhimin të koordinuar,  ka ekspozuar qytetarët ndaj pasojave që mund dhe duhet të ishin shmangur.

Kjo situatë kërkon përgjegjësi, transparencë dhe veprime të menjëhershme nga sektorët përkatës.

Është e domosdoshme që autoritetet të reagojnë pa vonesa, të marrin përgjegjësitë që ju takojnë dhe të garantojnë mbrojtjen e qytetarëve ashtu siç e cakton detyra e tyre ligjore dhe morale.

Siç e shikoni edhe vet, të nderuar qytetarë, bashkia, institucionet e bashkisë ose me saktë punonjësit e bashkisë nuk kanë dalë në terren për të siguruar jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Pusetat i kanë të hapura,  hidrovoret nuk funksionojnë,  ndërkohë që vet Kryetarja e bashkisë, përpara pak kohësh, deklaroi që institucioni i bashkisë ka bërë hidrovore të reja,  ndërkohë funksionimi i tyre është nul, është zero.

Prandaj kërkojmë që të ndërhyet menjëherë dhe të merren masa parandaluese.

Kërkojmë që të shpallet menjëherë gjendja e jashtëzakonshme, pasi kjo do ketë pasoja të rënda në qytetin e Durrësit.

Reshjet do vazhdojnë të shtohen dhe përmbytjet do vazhdojnë të jenë më të mëdha. Prandaj duhet në mënyrë urgjente ndërhyrja e institucioneve pa vonesë.


Lajmi kryesor:

PAMJET me DRON/ Autostrada Durrës-Tiranë bllokohet nga shiu, trafik kilometrik! Qarkullimi devijohet nga Ndroqi, rruga drejt Rinasit e hapur