Një protestë e rrallë kundër liderit kinez Xi Jinping është zhvilluar në Kinë përpara një kongresi historik të Partisë Komuniste. Tubimi në distriktin veriperëndimor Haidian të Pekinit të enjten u mbyll me shpejtësi nga policia dhe personeli i sigurisë por skena gjithsesi u bë virale në internet.
Në një pankartë shkruhej: "Përmbysni diktatorin dhe hajdutin e vendit Xi Jinping". Një tjetër bëri thirrje për t'i dhënë fund politikave strikte COVID-19 ."Ne nuk duam teste për COVID, ne duam të hamë; ne nuk duam bllokime, ne duam të jemi të lirë," thuhej në të.
Fotot dhe pamjet e protestës në Twtter - e cila është e bllokuar në Kinë - treguan tymin e zi që ngrihej nga ura dhe një burrë mund të dëgjohej duke brohoritur parulla.
Incidenti vjen në një kohë shumë të ndjeshme në kryeqytetin kinez, me autoritetet në gatishmëri të lartë në prag të kongresit të 20-të të Partisë Komuniste në pushtet të dielën, ku presidenti Xi pritet të sigurojë një mandat të tretë drejtues. Politika zero e Kinës për COVID , e cila ka çuar në bllokime të shpeshta dhe ka shkaktuar dëme të rënda ekonomike, ka nxitur zhgënjim të gjerë në qytetet kineze. Kërkimet në internetin shumë të censuruar të Kinës nuk dhanë rezultate - por disa referenca indirekte për protestën mund të gjenden, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
"Kishte një person të guximshëm në Pekin sot," shkroi një përdorues, duke shtuar disa emoji mbështetjeje me gishtin e madh lart dhe trëndafila.